2-shi i ‘Koalicionit për Familjen’, Selim Pacolli: Bashkë jemi më të fortë!
Selim Pacolli, është kandidat për deputet të Parlamentit të Kosovës në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, dhe do të garoj me numrin 2, në listën e “Koalicionit për Familjen”.
Pacolli me një shkrim të gjaë në llogarinë e tij në “Facebook”, ka bërë të ditur kandidimin e tij dhe arsyet e kandidimit.
Postimi i plotë i Pacollit:
Vëllezër e motra, miq, shokë e ju dashamirë,
E dashura familja ime!
Të dashur qytetarë!
Sot, para jush dua të ndajë vendimin tim për t’u kandiduar për deputet të Parlamentit të Kosovës në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025.
Pas zgjedhjeve lokale të vitit 2017 kur isha kandidat për Kryetar të Komunës së Prishtinës, edhe një herë sikurse më parë duke vënë në peshoren tuaj, ngase besoj fuqishëm se peshorja më e mirë është ajo e popullit, dhe për mua do të jetë nderimi më i madh që ta pranoj këtë verdikt!
Unë do të jem pjesë e listës së Koalicionit për Familjen, duke qenë i bindur dhe duke besuar se kjo listë bartë në vete njerëz të denjë, profesionist, besnik dhe të përkushtuar në parimet e tyre politike, morale dhe njerëzore!
Të gjithë e dimë se Familja është institucioni më i çmuar, më kredibil, më i ngrohtë dhe më i sigurt për shoqërinë, është streha dhe tempulli i sajë, njëheri është edhe thesari më i çmuar që mbart thelbin e ekzistencës sonë.
Aty gjejmë rrënjët tona, të kaluarën, të ardhmen dhe identitetin tonë.
I rritur dhe i edukuar në këtë frymë, besoj se mbrojtja e familjes është mbrojtje e vlerave më të larta shoqërore dhe e qelizës së kombit tonë.
Kjo njëheri është edhe arsyeja dhe shtysa kryesore që unë kam vendosur të kandidoj për deputet në Koalicionin për Familjen.
Unë dua të përkushtohem për të mbrojtur dhe për të fuqizuar institucionin e familjes, duke ndërtuar një shoqëri më të drejtë, më të qëndrueshme dhe më të lumtur, kur sot, është duke u cenuar në fusha të ndryshme, deri te ato në institucione shkollore përmes Kurrikulave të mbrapshta jo profesionale!
Kur edhe vetë Presidenti i sapo zgjedhur i SHBA-së z. Donald Tramp, me zë të lartë dhe të qartë zotohet se do ta mbroj institucionin e familjes duke ndaluar çdo fenomen apo tentativë që e rrezikon Familjen, përmes njohjes dhe mbrojtjes së dy gjinive, andaj është detyra jonë të ruajmë dhe të forcojmë këtë institucion të shenjtë, dhe këtë herë mund ta bëjmë vetëm me votën tuaj dhe përkushtimin tonë, pra duke mbështetur Koalicionin për Familjen.
Ruajtja e këtyre traditave është një detyrë e shenjtë që na përket të gjithëve.
Çdo brez ka përgjegjësinë dhe privilegjin për të transmetuar këto vlera te fëmijët e tyre.
Është detyra e brezit tonë të vendosë sa jemi të gatshëm të ruajmë këto vlera.
Unë kam vendosur të ndjek gjurmët dhe rrënjët e të parëve tanë, në urtësinë dhe besimin e tyre.
Më duhet mbështetja juaj për të qenë zëri i këtyre vlerave.
Një familje e shëndoshë,
Një shoqëri e shëndoshë,
Një Komb i shëndoshë,
Një shtet i shëndoshë!
Bashkë jemi më të fortë!