20 të vdekur nga temperaturat e larta në Kanada
Vala e befasishme e të nxehtit që ka mbërthyer rajonet qendrore dhe lindore të Kanadasë ka shkaktuar gati 20 vdekje deri më tani.
Autoritetet në Kanada janë detyruar ta ngrenë nivelin e reagimit ndaj nevojave të qytetarëve, nga “ai i ndërhyrjes” në atë të “alarmit”.
Shërbimet e emergjencës kanë marrë të paktën 1.200 telefonata në ditë, ndërsa Qendra
Meteorologjike e vendit nxori një paralajmërim për kushte ekstreme të motit.
Shumica e viktimave ishin persona që jetonin vetëm dhe nuk kishin qasje tek ajri i kondicionuar.
Në Montreal, termometri shënoi 34 gradë celsius të mërkurën, një nivel i lartë ky për zonën, ndërsa në Quebec, indeksi i lagështisë tregoi 40 gradë celsius dhe gjatë ditës pritet të mbërrijë 43 gradë celsius.
Vala e të nxehtit nisi të premten e kaluar dhe nuk ndaloi më, duke i lodhur kanadezët e mësuar me temperatura të ulëta.