Fatkeqësisht, shumë vende e kanë provuar forcën e ushtrive të tyre përmes konflikteve dhe betejave përgjatë historisë. Shumë prej ushtrive kanë krijuar aleanca mes tyre për të luftuar një armik të përbashkët, duke kombinuar forcat e tyre për të mposhtur armiqtë.
Edhe pse njerëzimi sot synon të mendojë se konfliktet ushtarake iu përkasin librave të historisë, ka ende një sërë konfliktesh të përshkallëzuara që shihet edhe sot e kësaj dite. Disa shembuj janë luftimet në Ukrainë, luftërat në mbarë Lindjen e Mesme dhe tensionet në rritje në detin e Kinës Jugore.
E pavarësisht këtyre ngjarjeve apo konflikteve të tjera, shumica e kombeve perëndimore jetojnë në paqe relative, e për rrjedhojë u jemi mirënjohës që nuk po jetojmë mes luftës dhe shkatërrimit që mbjell një gjë e tillë.
Edhe pse shumica e vendeve të Perëndimit janë angazhuar në misione paqeruajtëse, në vend të misioneve luftarake, shumë prej tyre kanë sërish ushtri të fuqishme dhe me armë të teknologjisë së avancuar.
Por, cilat janë ushtritë më të fuqishme në botë? Ndiqni fotogalerinë më poshtë, së bashku me informacionet shtesë.
20. Tajlanda njihet sot si një parajsë e nderuar plot plazhe të bukura, xhungla, lumenj dhe përrenj. Gjithsesi, vendi strehon gjithashtu edhe një prej forcave të armatosura më punëtore dhe befasisht më të fuqishme. Ushtria Mbretërore tajlandeze ka tri degë: Marinën, Ushtrinë dhe Forcat Ajrore. Vendi e sheh të nevojshme pasjen e një ushtrie në gatishmëri, pasi në provincat juglindore përballet me kryengritje islamike dhe malajziane.
19. Polonia. Ushtria polake nuk ka qenë kurrë më e forta, por që prej rënies së Bashkimit Sovjetik, polakët kanë vendosur të krijojnë e fuqizojnë ushtrinë e tyre, në mënyrë që të garantojnë se nuk do të mund të pushtohen kurrë më. Deri më sot, ushtria polake është një prej të parave që kanë dërguar trupa në misionet e NATO-s, duke vepruar në krah të forcave amerikane si në Afganistan, ashtu dhe në Irak. Polakët janë të tmerruar nga një pushtim hipotetik rus, ndaj po bëjnë gjithçka munden për ta ndaluar një gjë të tillë.
18. Egjipti. Në Egjipt ekziston vetëm një institucion që ka me të vërtetë të gjithë pushtetin në duart e tij. Sigurisht nuk është as Parlamenti dhe as presidenti, por ushtria. Forcat e Armatosura egjiptiane janë jo vetëm ushtria më e madhe dhe më e fuqishme në kontinentin afrikan, por ofron pothuajse gjithçka për popullatën. Ushtria prodhon ushqime, veshmbathje, barna mjekësore, çimento, formula për foshnjet, e madje edhe pelena për banorët e Egjiptit. E të gjitha këto i bëjnë njëkohësisht me luftimin ndaj degës së Shtetit Islamik në gadishullin Sinai, sikurse ndaj islamikëve që po tentojnë të banojnë shkretëtirat në perëndim të vendit.
17. Pakistani e fitoi pavarësinë nga Mbretëria e Bashkuar vetëm në vitin 1947, kur u shkëput për t’u bërë një vend mysliman, ndryshe nga India e fesë Hindu. Thuajse menjëherë pas kësaj, vendi nisi krijimin e ushtrisë së saj, fillimisht për të luftuar ndaj armikut të tij të betuar, Indisë. Në fakt, dy vendet fqinje kanë zhvilluar disa herë luftra, e që të dyja kanë armë bërthamore në kryeqytetet e tyre për të kundërshtuar njëri-tjetrin. Por, ndërsa ushtria pakistaneze është e gjashta në botë për nga numri i ushtarëve, ajo renditet shumë më poshtë për shkak se nuk ka teknologji të avancuar.
16. Italia. Ushtria italiane në të vërtetë nuk është “dëgjuar” që prej mposhtjes në Luftën e Dytë Botërore, teksa luftonte në krah të nazistëve. Kjo vjen për shkak se vendi i Apenineve vendosi të shkurtonte numrin e forcave të saj të armatosura pas shpartallimit, duke i dhënë shumicën e përgjegjësive mbrojtëse aleancës ushtarake të NATO-s. Gjithsesi, italianët kanë ndërmarrë një rol më aktiv kohët e fundit, duke dërguar trupa për luftim në Irak e Afganistan, e duke udhëhequr në misionet për shpëtimin e emigrantëve afrikanë që tentojnë të hyjnë në Europë përmes Mesdheut, nga Libia.
15. Tajvani. Ndoshta mund të habiteni se përse ushtria e Republikës së Kinës renditet kaq poshtë. Gjithsesi bëhet fjalë për ushtrinë e kombit të vogël ishullor të Tajvanit. Ushtria tajvaneze është pothuajse e madhe, por kërkon gjithashtu një ndihmë të madhe nga Shtetet e Bashkuara, në mënyrë që të ruajë sovranitetin e ishullit. Tajvani ka një Forcë të Armatosur që konsiderohet e madhe krahasuar me popullsinë e ishullit, që konsiston në një personel aktiv prej 300 mijë vetësh dhe mbi një milion e gjysmë rezervistësh.
14. Kanadaja. Forcat e Armatosura kanadeze janë të afta të godasin fort, pavarësisht se i përkasin një vendi, të cilin shumica e njerëzve e konsiderojnë të jetë më paqësori në botë. E pavarësisht se ka një personel aktiv prej rreth 95 mijë vetësh, me vetëm dy nëndetëse, Kanadaja ka marrë pjesë në çdo konflikt në krah të Shteteve të Bashkuara që prej Luftës së Parë Botërore, me përjashtim të Luftës së Vjetnamit. Vendi stërvit gjithashtu snajperistë të jashtëzakonshëm, e numrin rekord të vrasjeve nga një snajperist e ka shënuar pikërisht një kanadez.
13. Australia është e ndarë nga thuajse e gjithë pjesa tjetër e botës, duke nënkuptuar se ata duhet të kujdesen vet për veten e tyre në rast se ndonjë komb do të përpiqet t’i sulmojë. Marina australiane është relativisht e vogël, me vetëm 52 anije, megjithatë kontinenti ishull është në gjendje të marrë përgjegjësinë për mbrojtjen e disa vendeve të tjera, siç është edhe Papua Guinea e Re. Forcat e Armatosura prej 60 mijë vetësh mund të kenë marrë pjesë gjithashtu thuajse në të gjitha operacionet e NATO-s, por gjithmonë do të mbahen mend për humbjen e një beteje ndaj një familjeje strucash në vitet 1920.
12. Indonezia mund të jetë një nga vendet më të largëta dhe të izoluara në botë, por Forcat e Armatosura Kombëtare të Indonezisë garantojnë mbrojtje maksimale. Indonezia është një vend unik, teksa përbëhet nga mbi 17 mijë ishuj, duke e bërë disi të vështirë qeverisjen e të gjithë popullsisë, pasi jo të gjithë qytetarët janë të kënaqur që sundohen nga rezidentët e Xhakartës. Ndaj janë shënuar disa rebelime të ndryshme të banorëve, njëra prej të cilave çoi në krijimin e Timorit Lindor. Gjithsesi, forcat e armatosura në këtë vend përpiqen t’i mbajnë të gjithë nën kontroll.
11. Izraeli është një nga vendet më të vogla që përfshihen në këtë listë, megjithatë, izraelitët kanë një nga ushtritë më të fuqishme të botës, pasi u duhet të ruhen e përballen me shumë armiq buzë kufijve të tyre. Ushtria e vogël, por e fuqishme, ka mposhtur disa prej armiqve më të fuqishëm arabë në rajon, që kanë bashkuar forcat kundër shtetit hebre. Për pasojë, edhe ushtri të tjera kanë “mbajtur shënim” dhe kanë kërkuar shpesh ndihmë nga Forcat Mbrojtëse të Izraelit për të stërvitur ushtarët e tyre.
10. Turqia. Kombi modern turk u themelua në vitin 1920 nga Qemal Ataturku, e prej atëherë vendi ka pasur një ushtri tejet të madhe, që është e integruar edhe me pjesën tjetër të shoqërisë. Për të garantuar se ushtria ka pushtetin më të madh në Turqi, vendi ka përjetuar disa herë grushte shteti. Ushtria turke është përfshirë edhe në luftën civile siriane, e madje ka dërguar trupa për të pushtuar rajone të Sirisë. Ata janë ballafaquar edhe me një kryengritje të kurdëve në tokën e tyre prej mbi 3 dekadash.
9. Japonia. Qeveria japoneze ka ndërmarrë një qasje më pacifiste që prej shpartallimit nga ushtria e Shteteve të Bashkuara në Luftën e Dytë Botërore. Gjithsesi, vendi ka ende një Forcë Vetëmbrojtëse, të cilat ua lejoi Amerika t’i formonin. Qeveria ka aftësi dhe kapacitete për të mbrojtur kufinjtë e vendit në rast të ndonjë sulmi të pagjasë, por nuk ka kapacitete sulmuese. Përpara Forcave Vetëmbrojtëse në Japoni, vendi mbrohej nga Ushtria Perandorake japoneze.
8. Gjermania është ndoshta rasti unik i një vendi me reputacion të keq në luftra, e megjithëse është bërë një komb më paqësor, gjermanët ende kanë një shtet të fuqishëm ushtarakisht dhe ekonomikisht. Gjermania ka një personel aktiv prej afro 180 mijë vetësh, ndërsa zotërojnë gjithashtu edhe disa prej armëve më të avancuara teknologjike në botë. Ushtria gjermane është aq mirë e trajnuar, saqë i është dashur të stërvisë edhe ushtri të tjera, përfshi këtu ato të Republikës Çeke dhe Rumanisë.
7. Koreja e Jugut e ka thuajse një nevojë të domosdoshme pasjen e një ushtrie të fuqishme, duke marrë në konsideratë se një sistem diktatorial shtrihet vetëm pak kilometra mbi ta në hartë. Koreja e Veriut përbën një rrezik të vazhdueshëm për të gjitha vendet e lira e demokratike, sigurisht edhe për Korenë e Jugut, për rrjedhojë qeveria koreano-jugore duhet të jetë e aftë të vetëmbrohet në rast të një sulmi ushtarak. Ata kanë një ligj të detyrueshëm rekrutimi, që do të thotë se kushdo që lind atje, një ditë do të duhet të kryejë me çdo kusht shërbimin ushtarak. Kjo ka çuar në rritjen e shpejtë të forcës së saj ushtarake, që aktualisht ka një milion ushtarë aktivë.
6. Franca njihet më shumë për beretat dhe bagetat (baguette), e jo aq për aftësitë e tyre ushtarake. E megjithëse Franca nuk është nga të parat vende që të vijnë në mend sapo mendon për një ushtri të fuqishme, forcat franceze kanë marrë pjesë thuajse në të gjitha operacionet e NATO-s, përfshi bombardimet në Irak dhe Siri. Franca ka një Forcë Ajrore të fuqishme dhe shpesh i dërgon ushtarët në misione paqeruajtëse anembanë botës, përfshi edhe ish-kolonitë e këtij vendi.
5. Mbretëria e Bashkuar. Edhe pse ditët e sotme Britania nuk është më ai vend i fuqishëm, me publikun që shqetësohet më së shumti për atë se çfarë do të veshë familja mbretërore, dikur ajo ishte një perandori në të cilën dielli nuk perëndonte kurrë. Sot, Britania e Madhe nuk është më perandori, por ende kanë një ushtri të madhe dhe me kapacitete të avancuara teknologjike. Përveçse kanë një prej shërbimeve sekrete më të afta, ata zotërojnë gjithashtu një teknologji kibernetike ultramoderne. Gjithsesi, ushtria po vuan të gjejë rekrutë të rinj, pasi shumica e britanikëve nuk janë të interesuar për t’u regjistruar në shërbimin ushtarak.
4. India. Nuk është aspak surprizuese fakti që India ka një ushtri të madhe, pasi ajo është vendi i 7 më i madh për nga sipërfaqja dhe me popullsinë e dytë më të madhe në botë. India përballet me kërcënime nga fqinjët e saj, Kina dhe Pakistani, që zotërojnë edhe armë bërthamore. Indianët janë dashur të ndeshen edhe me revoltat në Mizoram, sikurse edhe në Kashmir e Manipur. Vendi po përpiqet gjithashtu të mbrohet, duke vendosur personelin e Marinës në oqeanin Indian.
3. Kina është vendi me popullsinë më të madhe në botë, kësisoj padiskutim që kanë edhe një nga ushtritë më të mëdha. Aktualisht, atje ka mbi 2 milionë ushtarë që shërbejnë në mënyrë aktive, e është thuajse e paimagjinueshme sesa miliona ushtarë të tjerë janë rezervistë. Kombi kinez tenton të ruajë fuqinë e saj larg, fare larg kufinjve të saj, një nga arsyet se përse kanë përmirësuar vazhdimisht arsenalin e tyre ushtarak.
2. Rusia është fitues i medaljes së argjendtë kur bëhet fjalë për ushtritë më të fuqishme të botës. Ushtria ruse ka qenë ekstremisht e fortë (e njohur edhe për keq) përgjatë të gjithë historisë, por në kohët moderne kanë edhe më shumë kapacitete. Rusët kanë pushtuar dy vende (Gjeorgjinë e Ukrainën) në dy dekadat e fundit, duke krijuar edhe shtete kukulla. Vendi është aktualisht i përfshirë në luftën civile siriane, e vazhdimisht përpiqet të zgjerojë pushtetin e saj në arenën globale.
1. Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Asnjë surprizë e asnjë befasi! Shtetet e Bashkuara janë të parat në këtë listë. Edhe pse Amerika shihet si një vend relativisht i ri, krahasuar me disa prej perandorive më të vjetra të historisë së njerëzimit, Shtetet e Bashkuara kanë mundur të krijojnë ushtrinë më të suksesshme dhe më të fuqishme në botë. Jo vetëm që kanë ushtrinë më të avancuar në aspektin teknologjik, por amerikanët kanë edhe më shumë avionë luftarakë, anije e tanke se kushdo tjetër. “Toka e premtuar” e shumë shqiptarëve ka luftuar dhe fituar në shumë luftra përgjatë historisë, ndërsa gjithmonë e më shumë shtete mbështeten tek ajo për mbrojtje.