20 VJET NGA RËNIA HEROIKE E DËSHMORIT TË KOMBIT VISAR THAÇI
Kalojnë vite, kalojnë dhe dekada, ndërsa kujtimi për dëshmorët mbetet i freskët në mendjet tona, në historinë e kombit tonë. Dëshmorët janë nderi dhe krenaria e çdo populli. Vetëflijimi i tyre është lapidari kryesor i lirisë. Kujtimi për ta nuk shuhet kurrë. Janë gjithmonë në mendjet dhe zemrat tona, ashtu siç është dielli i pranishëm në tokë me rrezet e tij. Një ndër mijëra kujtime është edhe ai për Visar Thaçin i cili ra heroikisht në fushëbetejën për liri para 20 vjetëve.
Kush ishte Visar Thaçi?
Visar Thaçi lindi më 31.10.1976 në Podujevë. Ishte fëmija i katërt me radhë nga pesë fëmijët e prindërve Sabit e Hyra Thaçit. Mësimet e shkollës fillore si dhe të mesme i vijoi në Podujevë. Tek Visari që nga rinia e hershme ishin vërejtur shenjat e trimërisë, guximit dhe patriotizmit për kombin dhe atdheun. Me plot guxim e shkathtësi i kryente detyrat që ia parashtronin shokët e idealit siç ishte shpërndarja e afisheve, shpërndarja e fletushkës “Çlirimi”, e cila atëherë ishte gazeta më e ndaluar nga regjimi serb, mirëpo Visari sakrifikonte dhe atë e shpërndante edhe në vendet më delikate. Në demonstratat e vitit 1989 ishte gjithmonë i pranishëm dhe aspak nuk e kishte frikë armikun. Pasi e kreu shkollën e mesme për shkak të kushteve ekonomike, Visari nuk pati mundësi t’i vazhdojë tutje mësimet universitare për arsye se prindi ishte punëtor arsimi dhe në atë kohë arsimtarët nuk paguheshin dhe ishin të padëshiruar për pushtuesin serb.
Për veprimtarinë e tij ilegale ai ishte i ndjekur disa herë nga policia serbe dhe në këto situata, duke mos pasur perspektivë që ta shijojë jetën rinore, u detyrua sikur edhe shumë bashkatdhetarë të tjerë që të migronte drejt Perëndimit. Në fillim ishte vendosur në Gjermani, më pastaj në Zvicër, ku merr pjesë në klubin shqiptar “ILIRIDA” dhe e vazhdon punën e tij për ta ndihmuar atdheun e tij të robëruar.
Ai bashkë me shokët e tij më 23 qershor 1998 nisen për t’i dalë krah UÇK-së. Në mbrëmje të 17 korrikut 1998 në kufirin shqiptaro-shqiptar ndeshen me forcat e armikut, ku zhvillohet një betejë e madhe në të cilën Visari merr një plagë. Edhe pse i plagosur, ai nuk tërhiqet nga beteja që vazhdoi deri në orët e hershme të mëngjesit. Më 18. 7. 1998, me harxhimin e municioneve dhe humbjen e disa shokëve, edhe Visari bie heroikisht në altarin e lirisë. Trupi i tij fillimisht u varros në Jasiq të Junikut. Ndërsa katër vjet më vonë, me gjetjen e trupit të tij, pas shumë përpjekjeve nga familja dhe ndihmës së Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, ceremonia e rivarrimit të dëshmorit u bë në fshatin Gegaj i Ulët në Podujevë. Tani Visari me gjithë dëshmorët e ZOLL-it pushojnë në varrezat e dëshmorëve në Penuhë.
Sot bëhen plot 20 vjet që nga rënia heroike e dëshmorit. Ai jetoi për ne. E kemi prore gjithkund e gjithherë. Liria ndërtohet me jeta, ndërtohet me gjak, me dëshmorë. Dëshmorët si Visari dhe shumë të tjerë do të jenë në mendjet e zemrat e brezave tanë, si nderi dhe krenaria e Kosovës.
Lavdi dëshmorëve të kombit!