200 studentë të UP-së do të bëjnë praktikë në institucionet e Kosovës
Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) dhe Universiteti i Prishtinës, “Hasan Prishtina”, kanë nënshkruar një marrëveshje të bashkëpunimit për përfshirjen e 200 studentëve të UP-së në trajnim në punë, në institucionet publike, ndërmarrjet publike dhe private, si dhe OJQ-të.
Kjo marrëveshje është nënshkruar nga ministri i MPMS-së, Skender Reçica dhe rektori i UP-së, Marjan Dema. Gjatë nënshkrimit të kësaj marrëveshje të pranishëm kanë qenë edhe zëvendëskryeministri Fatmir Limaj dhe ministri i Arsimit, Shyqyri Bytyqi.
Ministri i MMPS-së, Skender Reçica, ka thënë se kjo marrëveshje është lajm i mirë për të gjithë studentët e UP-së.
Ndërsa, rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Marjan Dema, ka thënë se sfidë kryesore e këtij universiteti mbetet mungesa e buxhetit. Në këtë kontekst, ai ka thënë se kjo marrëveshje është një mundësi e mirë për studentët që të përgatiten për tregun e punës.
Në anën tjetër, zëvendëskryeministri Fatmir Limaj është treguar optimist sa i përket punësimit të studentëve të UP-së.
“Unë kam besim të plotë që edhe burrat edhe gratë e këtij universiteti do të gjejnë rrugë për tu avancuar. Detyra jonë është t’ju mbështetim sa më mirë. Natyrisht ne i presim edhe rezultatet. E di që keni sfida dhe vështirësi dhe nuk është lehtë, por kemi shpresë të madhe që universiteti që ka qenë dikur çelësi i lirisë të kthehet në një flamurtar të shtetndërtimit tonë”, ka thënë Limaj.
Më tutje, ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, ka paralajmëruar se shumë shpejt do të nënshkruajnë edhe një marrëveshje të ngjashme.