2018-ta të jetë vit i lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe i avancimit drejt integrimit evropian
Dhurata Hoxha
Sot, më shumë se kurrë, integrimi evropian ka rëndësi qenësore për Republikën e Kosovës, për qytetarët e saj, për të gjithë ato gra dhe burra që punuan dhe sakrifikuan shumë për të pasur këtë shtet i cili shpejt do t’i mbushë 10 vjet. Integrimi evropian nënkupton të qenët pjesë Evropës duke u shkrirë brenda saj dhe duke përqafuar vlerat e saj.
Republika e Kosovës është burim i paqes dhe sigurisë në këtë pjesë të Ballkanit dhe Evropës, andaj ne i japim argumente të fuqishme BE-së si garantuese e paqes se duhet të jemi pjesë e Evropës, në politika, zhvillim dhe synime, duke mos mbetur vetëm brenda kornizave apo përcaktorëve gjeografikë e historikë.
Uniteti dhe barazia si tema të përhershme, respektimi i identitetit nacional, liritë dhe të drejtat fundamentale, siguria dhe parimi i solidaritetit, janë pjesë e Kushtetutës, ligjeve dhe akteve nënligjore në Republikën tonë. Si të tilla, vendin tonë e bëjnë shembull pozitiv jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë.
Me krenari mund të theksoj se kemi përmbyllur me sukses raundin e parë të mbledhjeve të strukturave të përbashkëta me BE-në për mbikëqyrjen e zbatimit të MSA-së. Hyrja në fuqi e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit përmes së cilës Kosova për herë të parë hyri në marrëdhënie kontraktuale me Bashkimin Evropian, përveçse është sukses, duhet të jetë edhe shtytje që e njëjta të implementohet suksesshëm në mënyrë që ta vazhdojmë rrugëtimin tonë drejt Bashkimit Evropian.
Në këtë proces qenësor për Republikën e Kosovës, zbatimi i MSA-së është prioriteti ynë më i rëndësishëm. Kjo do të kërkojë vullnet politik, kapacitete burokratike dhe financim të qëndrueshëm.
Kemi edhe suksese të tjera në procesin integrues. Kemi përmbyllur me sukses kontributin e parë të institucioneve tona për Raportin e Komisionit Evropian për Kosovën që është përmbledhur në 500 faqe, duke dhënë përgjigje në mbi 1 500 pyetje.
Në vitin 2018 parashohim zbatimin e shumë reformave strategjike që do të ndikojnë drejtpërsëdrejti në përmbushjen e detyrimeve ndaj MSA-së. Sukses është krijimi i platformës së përbashkët elektronike, ku do të publikohen aktet e përkthyera të legjislacionit të BE-së në gjuhën shqipe ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.
Më 27 tetor institucionet me sukses kanë përmbyllur ratifikimin e IPA 2016, pjesa e parë, me ç’rast ka hyrë në fuqi marrëveshja që parasheh programe për sektorin e konkurrueshmërisë dhe inovacionit, arsimit, punësimit dhe politikat sociale, të drejtat e njeriut dhe të drejtat e komuniteteve. Me këtë marrëveshje vendi ynë ka përfituar 45.5 milionë euro, të cilat pa dyshim se do të ndikojnë pozitivisht në mirëqenien e qytetarëve. Kanë përfunduar negociatat dhe jemi në pritje të nënshkrimit edhe të marrëveshjes financiare IPA 2017, që përfshin qeverisjen e mirë, sundimin e ligjit, energjinë, rritjen e konkurrueshmerisë, investimet në bujqësi, arsim dhe punësim, e gjithë kjo në shumë prej 48 milionë euro.
Që nga viti 1999 Bashkimi Evropian ka dhënë më shumë se 2.3 miliardë euro për sektorët e ndryshëm në Kosovë, gjë që dëshmon angazhimin e BE-së në Kosovë dhe interesimin e BE-së që Kosova të ecë përpara në proceset reformuese. Por, në këtë fundvit të gjithë ne, veçanërisht ne, bartësit e përgjegjësive në institucionet publike, duhet ta shtrojmë pyetjen: A mund të bëjmë më shumë? Përgjigjja është e thjeshtë, PO, ne duhet dhe mund të bëjmë shumë më shumë për shtetin tonë, për qytetarët tanë.
Të gjithë qytetarët presin më shumë nga përfaqësuesit e tyre.
Është qenësore që të gjithë ne, bartësit e përgjegjësive institucionale, të kuptojmë se ne jemi në shërbim të qytetarëve dhe t’i marrim vendimet duke pasur këtë fakt në mendje. Qytetarët tanë ende nuk janë të lirë të lëvizin pa viza në vendet e BE-së dhe përgjegjës për këtë është e gjithë klasa politike, duke lënë kështu qytetarët tanë të izoluar. Kushtet që duhet të plotësojë Kosova për liberalizimin e vizave janë të qarta.
Lëvizja e lirë e qytetarëve varet nga puna dhe angazhimi i të gjitha institucioneve të Republikës së Kosovës për plotësimin e kushteve të caktuara. Në këtë fundvit i bëj thirrje gjithë skenës politike në vend për konsensus kur është fjala për çështje madhore në interes të vendit dhe qytetarit. Le t’i harrojmë ndasitë politike, t’i ulim poshtë flamujt partiakë për interesin e qytetarit. Të mos krijojmë kauza të paqena në dëm të qytetarëve të vendit tonë.
Le të jetë viti 2018, vit i progresit në funksion të përmirësimit të mirëqenies së qytetarëve tanë. Le të jetë viti 2018, vit i lëvizjes së lirë të qytetarëve tanë, të cilën ne e kishim obligim t’ua ofronim shumë më herët.
Ish-presidenti i ShBA-së Franklin D. Roosevelt pati thënë se “Mos të harrojmë se Qeveria jemi ne dhe jo ndonjë forcë e panjohur mbi ne. Udhëheqësit e demokracisë sonë janë votuesit e këtij vendi”. Andaj, bartësit e funksioneve politike duhet të mos harrojnë se sovrani është populli ynë, janë ata që na besuan udhëheqjen me institucionet e vendit dhe ne duhet të jemi në krye të detyrës për t’u shërbyer qytetarëve tanë.
Integrimi evropian nuk është opsion, është rruga jonë e vetme. Është rruga të cilën tashmë e kanë zgjedhur qytetarët e Republikës së Kosovës dhe ne duhet të punojmë më shumë dhe të krijojmë konsensus nacional për të shtyrë përpara këtë proces.
Gëzuar 2018!
ENKAS PËR NUMRIN FESTIV TË GAZETËS “EPOKA E RE”