2024-a, vit me zhvillime të rëndësishme në politikën e jashtme globale
Shkruan: Valon Murtezaj
Në përgjithësi viti 2024 ishte një vit me zhvillime të rëndësishme në politikën e jashtme globale. Këto zhvillime ishin të mbushura me konflikte, tensione gjeopolitike dhe ndryshime politike. Të gjitha këto bënë që viti 2024 që po e lëmë pas të jetë vit i sfidave të vështira që lidhen me politikën e jashtme dhe sigurinë ndërkombëtare.
Pushtimi rus në Ukrainë vazhdoi të dominojë vëmendjen botërore, me të gjitha ndikimet e mëdha në tregjet globale dhe marrëdhëniet ndërkombëtare. Për fat të keq. ende paqja nuk shihet në horizont.
Konfliktet në Lindjen e Mesme, veçanërisht në Izrael, Palestinë dhe Siri, bënë që viti 2024 të mbahet mend si vit i tragjedive të mëdha dhe humbjes së jetëve të pafajshme.
Këto zhvillime ndikojnë në qasjen e kontinentit evropian po ashtu, për të adresuar sfidat globale dhe për ta forcuar rolin e saj në skenën ndërkombëtare. BE-ja punoi për një strategji të re për Lindjen e Mesme, duke theksuar nevojën për një armëpushim në Gaza dhe një zgjidhje me dy shtete për konfliktin izraelit-palestinez. Kjo strategji kishte për synim gjithashtu rritjen e ndihmës humanitare në regjion.
Gjatë vitit 2024 BE-ja mbajti zgjedhjet për Parlamentin Evropian dhe si rezultat dolën institucionet e reja të Bashkimit Evropian. Për më tepër, viti 2024 do të mbahet si vit zgjedhor nëpër botë. Si rezultat, zgjedhjet luajtën një rol vendimtar në formësimin e politikës së jashtme këtë vit. Më shumë se dy miliardë njerëz në mbi 60 vende shkuan në votime. Shumë qeveri ranë dhe shumë të tjera u ndërtuan. Përfshirë liderë të rinj në skenën politike botërore. Në Shtetet e Bashkuara populli amerikan votoi për një mandat të ri presidencial për Donald Trumpin.
Të gjitha këto ndryshime politike janë mundësi por, po ashtu, edhe sfida për sistemin global. Këtë do ta kuptojmë më qartë gjatë vitit 2025 dhe në vitet që vijnë.
Kosova vazhdoi përpjekjet e saj drejt integrimit në BE, megjithëse progresi ishte i diskutueshëm. Raporti i Komisionit Evropian për vitin 2024 theksoi se Kosova bëri përparim të mirë në disa fusha, por në anën tjetër avancimi drejt integrimit evropian ishte i mangët.
Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i lehtësuar nga BE-ja, kishte sfida të mëdha. Pavarësisht prej përpjekjeve, mund të thuhet që kishte shumë pak përparim në këtë proces. Serbia mbetet faktori kryesor destruktiv i mosprogresit në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Këto ishin vetëm disa nga zhvillimet që karakterizuan vitin 2024 në fushën e politikës së jashtme, dhe që kanë një interes dhe impakt global, Evropian dhe për Kosovën padyshim. Duke pritur një vit të ri më shumë paqësor: Gëzuar 2025!