2025-a, BETEJA FINALE E STRATEGËVE TË LIRISË

01 janar 2025 | 12:24

Procesi gjyqësor ndaj liderëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, pritet të përfundojë në vitin 2025. Por viti që lamë pas është karakterizuar me zhvillime të shumta në Gjykatën Speciale në Hagë. Krahas arrestimeve, dënimit të Pjetër Shalës dhe aktakuzës së re ndaj Thaçit, në Hagë janë zhvilluar debate të ashpra në mes të mbrojtjes së liderëve të UÇK-së dhe prokurorëve. Po ashtu, janë larguar avokatët kryesorë të Thaçit dhe Veselit për çfarë janë akuzuar institucionet e Kosovës për mungesë të mbështetjes financiare. Gjithashtu, liderët e UÇK-së kanë kërkuar nga trupi gjykues të mos ia mbajë anën prokurorisë, por të jetë i paanshëm.

Lirim GECI / Epoka e re

Beteja juridike për mbrojtjen e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Gjykatën Speciale ka vazhduar edhe gjatë vitit që lamë pas.

Gjatë vitit 2024 kanë ndodhur përplasje të ashpra në mes të mbrojtjes së liderëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit me prokurorët e Speciales dhe me disa nga dëshmitarët e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), të cilat janë demoluar nga avokatët e katërshes së UÇK-së.

Krahas kësaj, së paku deklarativisht është thënë se gjyqësor ndaj liderëve të UÇK-së në Hagë është duke shkuar drejt fundit, shkruan “Epoka e re”.

Zyra e Prokurorit të Specializuar deri më 15 prill të vitit 2025 do ta përfundojë paraqitjen e dëshmitarëve në këtë proces gjyqësor maratonik.

Prokurori Matt Hawling ka bërë me dije se kanë planifikuar të ftojnë edhe disa dëshmitarë në sallën e gjykimit, megjithatë mund të largohen edhe disa të tjerë.

Ai është shprehur se mund ta përfundojnë rastin e tyre deri në prill 2025, ashtu siç u është përcaktuar nga trupi gjykues. Ndërsa kryegjyqtari Charles Smith ka pasur kritika që nuk po ka dëshmitarë rezervë për ta vazhduar sa më shpejt përfundimin e dëshmive.

Ai ka thënë se nuk e kanë ndër mend ta zgjasin afatin për paraqitjen e rastit të ZPS-së. Ligjërisht, pas paraqitjes së rastit nga ZPS-ja, avokatët kanë të drejtë ta kërkojnë hedhjen e aktakuzës. Ndërsa avokatët e liderëve të UÇK-së kanë bërë me dije se synojnë ta shfrytëzojnë këtë mundësi, megjithatë afati është i shkurtër.

“Do të kërkojmë të paktën 1 muaj kohë për ta bërë kërkesën tonë”, ka thënë avokati i Jakup Krasniqit. Kurse avokati i Hashim Thaçit, Luka Misetiq, ka bërë me dije se do t’i duhen gjashtë javë për t’u përgatitur për ta paraqitur rastin e mbrojtjes. Ai ka thënë se nuk planifikon të thërrasë më shumë se 10 dëshmitarë.

Fillimisht Prokuroria e Hagës kishte bërë me dije se synon të ketë 312 dëshmitarë. Megjithatë, një pjesë të tyre u janë pranuar dëshmitë me shkrim e disa janë larguar tërësisht. Megjithatë, sipas prokurorisë, numri i dëshmitarëve do të ulet edhe më tutje, në mënyrë që në prill të përfundojë rasti i Prokurorisë së Specializuar e të fillojnë dëshmitarët e mbrojtjes. Prokuroria e Hagës tash ka larguar nga lista e dëshmitarëve edhe disa persona.

Thaçi dhe Veseli mbesin pa avokatët kryesorë

Avokatë kryesorë të mbrojtjes së Hashim Thaçit, pranë Gjykatës Speciale në Hagë, Gregory Kehoe, Joe Reeder, “Greenberg Legal Associates” dhe anëtarët e kësaj kompanie, kanë kërkuar të tërhiqen nga procesi gjyqësor. Në kërkesën e tyre ndaj Speciales është përmendur moskryerja e obligimeve ndaj tyre. Ndërkaq Ministria e Drejtësisë ka njoftuar se ka realizuar me kohë të gjitha pagesat dhe obligimet për mbrojtjen e Hashim Thaçit, duke iu referuar marrëveshjes që kanë vetëm me avokatin mbrojtës të Hashim Thaçit, Luka Misetiq. Vëllai i ish-presidentit Thaçi, Idriz Thaçi, duke e falënderuar avokatin Kehoe dhe ekipin e tij për angazhimin e deritashëm, ka sqaruar se kontrata me kompaninë ligjore “Greenberg Legal Associates” nuk është vazhduar për shkak të vështirësive financiare. Tani avokati kryesor i Thaçit është Luka Misetiq.

Edhe avokati Ben Emmerson është larguar nga ekipi mbrojtës i Kadri Veselit në Hagë. Gjykata Speciale ka miratuar kërkesën e avokatit Emmerson për tërheqje nga ekipi mbrojtës i Veselit. Sipas Gjykatës Speciale, kjo nuk do të shkaktojë vonesa në procesin gjyqësor. Pas largimit të Emmersonit, avokat kryesor i Kadri Veselit është caktuar të jetë Rodney Dixon. Ai ka një karrierë të spikatur në fushën e të drejtës ndërkombëtare publike dhe penale, si dhe të drejtave të njeriut, duke përfaqësuar qeveri, politikanë të shquar dhe individë në raste të ndërlikuara globale. Ndër rastet më të spikatura ku Dixoni ka qenë i angazhuar, përfshihen përfaqësimi i Qeverisë së Afganistanit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare, mbrojtja e viktimave ujgure në rastin e gjenocidit të supozuar nga autoritetet kineze dhe përfaqësimi i “AlJazeera”-s në rastin e vrasjes së gazetares Shireen Abu Akleh.
Largimi i avokatëve të Thaçit dhe Veselit është përcjellë me reagime të mëdha në Kosovë, duke akuzuar institucionet e Kosovës për mospërkrahjen e liderëve të UÇK-së që ndodhen në Hagë që nga nëntori i vitit 2020.

Mbrojtja e liderëve të UÇK-së kërkon ndryshimin e udhëzimit: Po rrezikohet mbrojtja

Duke iu referuar procesit gjyqësor në Gjykatën Speciale në Hagë dhe vështirësive për mbulimin e shpenzimeve për ekipet mbrojtëse, avokatët e katër liderëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, në emër të katërshes çlirimtare i kanë bërë kërkesë Ministrisë së Drejtësisë që të ndryshohet dhe plotësohet Udhëzimi Administrativ nr. 08/2022, i cili parasheh tarifa të reja për avokatët dhe shpenzimet e tjera për mbrojtjen juridike të të akuzuarve në proceset gjyqësore pranë Gjykatës Speciale.

Kërkesa e liderëve të UÇK-së për ndryshimin dhe plotësimin e Udhëzimit Administrativ, të cilën e ka siguruar “Epoka e re”, ishte bërë më 24 prill të vitit 2023. Sipas kësaj kërkese, udhëzimi aktual administrativ është duke paraqitur vështirësi për mbrojtje adekuate sa iu përket të akuzuarve të cilët po mbahen në paraburgim nga Gjykata Speciale. Sipas kësaj kërkese, Udhëzimi Administrativ nuk pasqyron gjendjen faktike për mbrojtje efektive të liderëve të UÇK-së.

Më tutje, në këtë kërkesë është përmendur rasti i ish-presidentit Hashim Thaçi, i cili, sipas avokatëve, përmbush të gjitha kriteret për mbështetje institucionale.

Në këtë kërkesë janë bërë edhe disa krahasime me rastet e mëhershme që kanë ndodhur në Tribunalin e Hagës. Në krahasim me rastet e tjera është përmendur numri i dëshmitarëve të prokurorisë, i cili kalon mbi 300 dëshmitarë. Në këtë kërkesë është elaboruar edhe afati kohor kur ka ndodhur lufta në Kosovë dhe puna që është duke bërë mbrojtja e katër liderëve të UÇK-së. Në fund të kësaj kërkese, ata kanë rikujtuar se Republika e Kosovës ka miratuar ligjin që garanton mbrojtje juridike adekuate dhe mbulon shpenzime për tarifat e avokatëve dhe shpenzimet e tjera për personat e akuzuar në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara.

Ekipi mbrojtës i Thaçit, letër Konjufcës, Kurtit dhe Haxhiut: Urgjente dhe e domosdoshme mbështetja financiare shtesë

Ekipi mbrojtës i ish-presidentit Hashim Thaçi, nëpërmjet një letre drejtuar kryeparlamentarit Glauk Konjufca, kryeministrit Albin Kurti dhe ministres Albulena Haxhiu, ka kërkuar mbështetje financiare shtesë për mbrojtjen e Thaçit. Bordi i Fondacionit “Përkrahje për mbrojtjen juridike të Hashim Thaçit”, ka bërë me dije se në mungesë të mjeteve financiare, ish-presidentit i është larguar një prej avokatëve kryesorë, “por edhe aktualisht avokati kryesor i angazhuar ka paralajmëruar se do të mund të largohet në periudhën e ardhshme, respektivisht nga fundi i këtij muaji”. Në këtë drejtim, mbrojtja e Thaçit ka vlerësuar se ndarja e mjeteve financiare të kërkuara, i shërben drejtësisë dhe mbrojtjes së kauzës së drejtë të luftës së UÇK-së. Më herët avokatët e liderëve të UÇK-së ishin ankuar për mungesë të fondeve adekuate nga shteti. Luka Misetiq, avokat i Hashim Thaçit, Ben Emmerson, si avokat i Kadri Veselit, David Young, avokat i Rexhep Selimit dhe Alegendra Venkateswari, avokate e Jakup Krasniqit kishin nënshkruar një letër më 24 prill 2023, me anë të së cilës shprehnin shqetësimin se pagesat e bëra nga shteti nuk i reflektonin kostot e ekipeve të avokatëve.

Krerët e UÇK-së i shkruajnë letër trupit gjykues, u kërkojnë ta ruajnë paanshmërinë

Liderët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, kanë kërkuar nga trupi gjykues në Gjykatën Speciale, që ta ruajë paanshmërinë dhe të mos mbajë anën e Prokurorisë. Përmes një letre drejtuar trupit gjykues, ata kanë thënë se janë shkelur të drejtat e të akuzuarve për gjykim të paanshëm dhe tribunal të pavarur. Në kërkesën e publikuar në faqen zyrtare të Speciales, avokatët e Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit kanë kërkuar nga gjyqtarët që mos t’ia mbajnë anën Prokurorisë Speciale, por të jenë të paanshëm në zbardhjen e së vërtetës.

Sipas letrës 10-faqëshe të avokatit Luka Misetiq, Rodney Dixon, Geoffrey Roberts dhe Venkatesëari Alegandra, në hyrje është thënë se: “Është thelbësore që trupi gjykues jo vetëm që duhet të ushtrojë funksionet e tij në mënyrë të paanshme por, po ashtu, duhet ta sigurojë edhe shfaqjen e paanshmërisë. Marrja në pyetje nga gjyqtarët po çon përpara çështjen e Prokurorisë ose një çështje gjyqësore të ngjashme me të, duke marrë rolin që normalisht do të luante Prokuroria dhe duke dështuar në sqarimin ose eksplorimin e ndonjë informacioni shfajësues. Prandaj, mbrojtja e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit kërkon nga trupi gjykues që të ndërmarrë hapa për ta siguruar pamjen e paanësisë dhe për t’i kufizuar paragjykimet ndaj mbrojtjes gjatë marrjes në pyetje gjyqësore”.

Mbrojtja e katërshes së UÇK-së ka shprehur shqetësimet e mëhershme të shpalosura para trupit gjykues për këtë çështje. Sipas tyre, dokumentet që janë pranuar si prova gjatë dëshmive të dëshmitarëve të Prokurorisë, tregon se në këtë çështje ka mungesë të paanshmërisë.

Një çështje tjetër që katërshja ka përmendur në letrën drejtuar Speciales, është thënë se në shumë raste, gjyqtarët kanë bërë më shumë pyetje se vetë mbrojtja.

Avokatët kanë vlerësuar se koha që u kushtohet pyetjeve gjyqësore është shumë e konsiderueshme dhe po ndikon në zhvillimin e shpejtë të këtyre procedimeve.

Mbrojtja e katërshes ka vlerësuar se në bazë të kohës që janë parashtruar pyetjet për dëshmitarët, del se gjyqtarët e kësaj gjykate po ia mbajnë anën Prokurorisë së Specializuar. Avokatët në letrën e tyre kanë shkruar se të akuzuarit kërkojnë nga paneli t’i marrë parasysh kritikat e tyre dhe të marrë masa që secili anëtar i panelit të veprojë jo vetëm në mënyrë të paanshme, por të përpiqet ta krijojë pamjen e paanshmërisë gjatë parashtrimit të pyetjeve drejtuar dëshmitarëve.

Mbrojtja e liderëve të UÇK-së demoloi dëshmitarët e ZPS-së

Në vitin 2024 kanë dëshmuar shumë dëshmitarë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS). Gjatë dëshmive të tyre ata janë demoluar nga avokatët e liderëve të UÇK-së. Krahas këtyre dëshmive e kemi veçuar ish-oficerin e NATO-s, Steve Russell, i cili për dytë ditë me radhë në Hagë ka dëshmuar në rastin e liderëve të UÇK-së. Ai në cilësinë e dëshmitarit të ZPS-së është ballafaquar me fakte nga mbrojtja e katërshes së UÇK-së, veçmas nga ajo e Thaçit. I zënë ngushtë lidhur me dëshminë me shkrim, Russell është lëshuar në interpretime koti dhe bajate, pasi mbrojtja e Hashim Thaçit me zë dhe figurë e ka zënë në rrenë dëshmitarin e ZPS-së, i cili kishte ofruar dëshmi të paqena nga ato që i kishte thënë Thaçi pas luftës në Gjilan. Dëshmitë e paraqitura nga mbrojtja e Thaçit janë pranuar nga trupi gjykues. Po ashtu, në Hagë kanë dëshmuar edhe disa nga ish-eprorët e lartë të UÇK-së, Sokol Bashota, Halil Çadraku etj., të cilët kanë mbrojtur të vërteten e luftës çlirimtare.

Pjetër Shala dënohet me 18 vjet burgim nga Specialja

Pjetër Shala, ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), është dënuar të me 18 vjet burgim kinse për krime lufte nga trupi gjykues i Gjykatës Speciale. Ai është shpallur fajtor për ndalim arbitrar dhe torturë kundër së paku 18 personave dhe në pikën e vrasjes së paligjshme kundër një personi, më ose rreth datës 5 qershor 1999, në fabrikën e metalit në Kukës të Shqipërisë. Gjykata ka thënë se akuza e trajtimit mizor është mbuluar tërësisht nga ajo e torturës dhe nuk është shqyrtuar më tej nga Gjykata. Sipas gjykatës, viktimat kanë qenë kryesisht shqiptarë të Kosovës, të cilat kanë pësuar dëme nga shqiptarë të tjerë të Kosovës. Prokuroria ka kërkuar dënim prej 28 vjetësh për Shalën. Pjetër Shala, shtetas belg, i njohur me nofkën “Ujku”, është deklaruar më parë i pafajshëm për të gjitha akuzat.

Specialja vazhdon gjahun ndaj UÇK-së, ngre aktakuzë të re kundër Thaçit dhe ndaj katër të tjerëve

Gjykata Speciale në Hagë ka konfirmuar një aktakuze të re kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, si dhe kundër katër personave të tjerë për vepra penale që lidhen me “pretendime për përpjekje të paligjshme për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve në gjykimin e krimeve të luftës Thaçi dhe të tjerët”.
Në një njoftim për medie nga Dhomat e Specializuara të Kosovës është thënë se aktakuza është konfirmuar kundër Hashim Thaçit, ish-ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ish-shefit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bashkim Smakaj, ish-kryetarit të Malishevës, Isni Kilaj, dhe Fadil Fazliut. Smakaj, Fazliu dhe Kilaj janë arrestuar më 5 dhjetor në Kosovë dhe janë dërguar në ndërtesën e paraburgimit të Dhomave të Specializuara në Hagë një ditë më vonë.

Haxhi Shala, Sabit Jonuzi dhe Ismet Bahtijari pranojnë fajësinë para gjykatës në Hagë

Ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Haxhi Shala dhe Sabit Januzi, janë deklaruar fajtorë para Gjykatës Speciale në Hagë për akuzën e frikësimit të dëshmitarit dhe pengimit të drejtësisë. Të dy e kanë bërë këtë deklarim më 18 dhjetor në kuadër të një marrëveshjeje për pranimin e fajësisë me Prokurorinë e Specializuar, ku Shala është pajtuar edhe për një dënim me burgim deri në tri vjet, ndërsa Jonuzi është pajtuar me një dënim prej 24 deri në 30 muaj burgim. Ata kanë thënë se kanë pranuar marrëveshjet pa ndonjë detyrim dhe me vullnet të lirë si dhe që nuk do t’i apelojnë vendimet e dënimeve të tyre nëse ato do të jenë sipas marrëveshjes apo më të ulëta.
Në anën tjetër, edhe Ismet Bahtijari ka arritur një marrëveshje të ngjashme për pranim të fajësisë. Çfarë akuzash kanë pranuar Shala dhe Jonuzi?
Në dy marrëveshjet e fajësisë është theksuar se në periudhën midis 5 dhe 12 prillit 2023, Shala, bashkë me Sabit Januzin dhe Ismet Bahtijarin kanë kontaktuar një dëshmitar.
Më tutje është thënë se dëshmitarit i janë bërë vizita në shtëpinë e tij dhe i janë ofruar përfitime në këmbim të tërheqjes së dëshmisë së tij. Sipas Prokurorisë, vepra në grup është kryer nën direktivën e Shalës. Deri më tani nuk është bërë publike se për cilin dëshmitar bëhet fjalë, apo në cilin rast ka dëshmuar ai.
Dhomat e Specializuara të Kosovës deri më tani kanë shpallur dy aktgjykime për pengim në administrim të drejtësisë.

Gucati dhe Haradinaj lajnë hesapet me Specialen

Dy figurat kryesore të Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, janë dënuar në vitin 2022 për pengimin e drejtësisë. Gucati dhe Haradinaj ishin dënuar me 4 vjet e 3 muaj burgim. Ata ishin liruar më 2023 me disa kushte. Në dhjetor të vitit 2024, Gucati dhe Haradinaj kanë përfunduar të gjitha detyrimet ndaj Gjykatës Speciale.
Kujtojmë se në dhjetor të vitit 2022 eprori i lartë i UÇK-së, Salih Mustafa -komandant “Cali” – ishte dënuar me 26 vjet burgim, ndërsa në vitin 2023 Gjykata e Apelit ia kishte ulur në 22 vjet burgim.

Thaçi në Speciale: S’jam në garë elektorale, presim drejtësi dhe respektim të Kushtetutës së Kosovës

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në seancën e 8 dhjetorit nuk është deklaruar rreth aktakuzës së re të ngritur ndaj tij, kinse për ndikimin mbi dëshmitarët. Në paraqitjen e tij para trupit gjykues, Thaçi ka thënë se “krejt papritmas para 2-3 ditësh” është njoftuar për aktakuzën e re dhe nuk ka pasur kohë ta diskutojë në thelb këtë dokument me ekipin e tij mbrojtës. “Me siguri e dini, unë që katër vjet përballem me një tjetër proces gjyqësor. E di që shoqëria e Kosovës, familja ime dhe unë presim fundin e këtij procesi, presim drejtësi. Krejt papritmas para 2-3 ditësh u njoftova për akuzën e re nga Zyra e Prokurorit të Specializuar. E di se Kosova është në prag të zgjedhjeve të përgjithshme, por unë nuk jam pjesë e garës elektorale, nuk paraqes rrezik për askënd. Prandaj, kërkoj edhe sot – unë respektoj dhe besoj në Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës – nga të gjithë, kudo që jeni ulur, në cilëndo anë apo në çdo uniformë që jeni në këtë sallë – të respektohet Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës”, ka thënë Thaçi.
Ndërsa kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, në mbledhjen e Këshillit Drejtues, ka ngritur shqetësimin për zhvillimet e fundit në Hagë, ku Zyra e Prokurorit Special ka njoftuar se ish-presidentit Hashim Thaçi i është shtuar edhe një aktakuzë për, kinse, pengim të drejtësisë, ndërsa ai tashmë ka katër vjet që ndodhet në paraburgim. “Lufta çlirimtare e popullit tonë ishte e drejtë, fisnike dhe e rrënjosur në të drejtën universale për liri dhe dinjitet. Çdo përpjekje për t’i dhënë tjetër kahe kësaj të vërtete, rrezikon ta minojë jo vetëm legjitimitetin e drejtësisë, por edhe ta cenojë trashëgiminë e një lufte të shenjtë për liri. Ne apelojmë që Dhomat e Specializuara të veprojnë me përgjegjësi maksimale! Vendimet e tyre duhet të mbështeten vetëm në fakte dhe parime ligjore. Drejtësia nuk duhet, asnjëherë, të përdoret si mjet për ta rishkruar historinë apo për t’i kontestuar sakrificat e atyre që luftuan për lirinë e Kosovës”, ka kërkuar Krasniqi.

Veseli në Hagë: Mos të cenohet besimi i popullit të Kosovës në Gjykatën Speciale

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka folur më 27 maj në seancën gjyqësore në Hagë. Duke u ndërlidhur me deklaratat në këtë seancë, Veseli ka kërkuar që procesi të jetë i drejtë, transparent dhe në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. “Do të jem i shkurtër dhe i drejtpërdrejtë me ju për faktin se është në interesin publik. Çështja e parë ka të bëjë me kohëzgjatjen e këtij procesi, që nga dita e parë kur jemi futur në këtë sallë, prokuroria ka kërkuar në mënyrë transparente 545 orë. Prej ditës së parë, faktikisht, secili e kemi ditur se 545 orë me procesin që do ta zhvillojmë në këtë sallë, do të kalonin 3 vjet ose 4 vjet, edhe nëse fare asnjë pyetje nuk do të bënte as mbrojtja e as ju si trup gjykues. Nuk dua të paragjykoj, por dua të them se: besoj është në interes të publikut, jo vetëm tonin, që dikush duhet të marrë përgjegjësinë e vendimmarrjes, që ky proces para popullit të Kosovës të jetë jo vetëm fer, jo vetëm transparent, jo vetëm t’i respektojë procedurat e Kushtetutën e Kosovës, por edhe të ruajë dhe garantojë një gjykim të drejtë dhe në kohë të arsyeshme”, ka thënë Veseli.

Më tutje, Veseli ka kërkuar të mos cenohet besimi i qytetarëve të Kosovës në drejtësinë ndërkombëtare. “Unë si një nga të akuzuarit, i nderuar, frikësohem se nëse nuk respektohen këto parime. Nuk ka të bëj me fatin tonë individual, por me një mesazh që do ta dërgojmë te populli i Kosovës, i cili e ka krijuar, me vetëdije të plotë, por edhe me besim këtë gjykatë, tek ju si partnerë tanë ndërkombëtarë, dhe nuk duhet në asnjë mënyrë të cenohet besimi që ka shteti ligjor dhe drejtësia ndërkombëtare”, ka thënë Veseli.

Veseli ka komentuar edhe përplasjet e ashpra që janë shfaqur ndërmjet kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith dhe avokatit të tij, Ben Emmerson. “Është edhe një çështje tjetër që ka të bëjë me mua si të akuzuar dhe me avokatin tim. I nderuar, trup gjykues, po e shoh një komunikim që nuk është normal e joprofesional. Nuk po paragjykoj, por si i akuzuar kam të drejtë të jap mesazh: nuk do të doja që në gjera që janë jashtë realitetit tim të ndikohet e paragjykohet, sepse ka një mospërmbajtje në adresimet e avokatit tim”, ka thënë Kadri Veseli.
Një përplasje “brutale” ka ndodhur në këtë seancë në rastin e krerëve të UÇK-së në Hagë. Avokati i Kadri Veselit është “kapur” me kryegjyqtarin Smith lidhur me faktin se gjykimi po stërzgjatet. Emmersoni ka deklaruar se më shumë pyetje për dëshmitarë kanë bërë gjyqtarët se mbrojtja e Veselit.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Bregu i Fildishtë ka bërë të ditur se trupat ushtarake…