Kurti: Gratë kanë nevojë për më shumë qasje dhe mbështetje
Kandidati për kryeministër i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se gratë janë më punëtore se burrat në luftë dhe më luftëtare në paqe prandaj iu duhet më shumë mbështetje.
Në një aktivitet ku është diskuar programi i këtij lëvizje, Kurti ka folur për emancipim dhe barazi gjinore, duke thënë se është i lumtur që sot janë bashkë për ta theksuar kontributin dhe rëndësinë e grave për Kosovën.
“Për gruan e Lëvizjes, për gruan e Vetëvendosjes, teksa po shndërrohemi në lokomotivën e emancipimit për gjithë Kosovën”.
“Dihet që gratë janë më punëtore në luftë se burrat dhe më luftëtare në paqe se burrat, mirëpo ky tubim i yni përputhet edhe me 21 vjetorin e rënies së heroinës Xhevë Lladrovci e cila ishte shumë luftëtare. Ajo ishte shumë më luftëtare më shumë se sa shumica e burrave e mbase edhe sa sa të gjithë burrat”.
“Gratë sot e vuajnë dhe mbajnë barrën e dyfishtë të shfrytëzimit në punë e të punëve pa mbarim edhe në shtëpi, por gratë e bëjnë edhe aktivizmin e dyfishtë merren me politikat e përgjithshme por gjithsesi edhe me çështjet gjinore”, ka thënë Kurti.
Kurti ka theksuar se nevojitet aktivizim i grave.
“Ne themi le t’i aktivizojmë gratë e shkolluara dhe të shkollojmë gratë aktive, ky është parakushti për përparim shoqëror”.
“Gratë përbëjnë gjysmën e popullsisë dhe kur vjen puna të papunësia ato janë më shumë se gjysma, kur vjen puna tek ndikimi, tek varfëria dhe tek përçmimi ato janë më shumë se gjysma, kur vjen puna tek fitimi sërish janë me pak se gjysma, kur vjen puna tek drejtësia dhe tek respekti janë më pak se gjysma dhe kur vjen puna te pronësia janë shumë më pak se gjysma”, është shprehur Kurti.
Ai ka thënë se pabarazitë gjinore në shoqërinë dhe institucionet kosovare duhet kritikuar, kundërshtuar dhe luftuar.
“Qeveria jonë e re pas gjashtë tetorit është kushti dhe mundësia, zotimi dhe garancia e jonë për juve. Gratë kanë nevojë për më shumë qasje dhe mbështetje në të bërit biznes, gratë kanë nevojë që shteti të kujdeset për fëmijët e tyre. Gratë duhet të kenë më shumë kohë për veten, duhet të kenë më shumë kohë për hobitë e tyre për profesionin e tyre”.
“Gratë kanë nevojë për kushte të dinjitetshme, dobësimi dihet se e godet më shume gruan se burrin në familje dhe jashtë saj e forcon patriarkalizmin, shteti ynë është dobësuar nga mos zhvillimi nga padrejtësia dhe pabarazia pas 6 tetorit mbaron koha e korrupsionit dhe dominimit të tij mbaron koha kur jepnin tendera dhe licenca për para, për vete bënin privatizime dhe konsensione për para për vete”, ka thënë Kurti.
Po ashtu, Kurti ka folur edhe për korrupsionin duke shpalosur planin e tij në këtë drejtim.
“Korrupsioni është shumë i lidhur me Qeverinë dhe buron nga ajo, andaj duhet ta ndërrojmë atë, andaj duhet ta votoni VV-në, prandaj duhet të fitoj VV-ja. Me qeverisjen tonë do të nis një kapitull i ri i shtetëndërtimit demokrati, për ne nuk do të jenë të pranueshme shtypja, cenimi shfrytëzimi dhe ngacmimi, nevojitet një ligj që i mbron gratë dhe që duhet zbatuar në realitet. Barazia gjinore nuk është çështje llafesh, sot dy javë janë zgjedhjet e 6 tetorit e gjithë Kosova do të ngritet në këmbë për fitoren e VV-së”, ka thënë Kurti.