21 vjet burgim dhe 7.000 euro dënim me gjobë për katër të akuzuarit
Gjykata Themelore në Gjilan ka shpall aktgjykim dënues ndaj katër të akuzuarve F. S., L. M., L. H. Dhe S. H.
Të akuzuarit F. S. dhe L. M. me datë 03.07.2019, rreth orës 18:30 minuta në rrugën e “Kumanovës” në Gjilan, në bashkëveprim pas përgatitjeve paraprake, me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete apo tjetrin, kanë kryer grabitje, duke hyrë në shtëpinë e të dëmtuarit S. K., të maskuar dhe të armatosur me thikë dhe revole, nën kanosje dhe ushtrim të dhunës për të marr gjësende me vlerë para dhe ari, por që nuk kanë arritur të gjejnë të njëjtat.
Të njëjtit me datë 11.07.2019, rreth orës 18:00, në Postën e Kosovës, në rrugën “Balzaku”, në Gjilan në bashkëveprim pas përgatitjeve paraprake, me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete apo tjetrin, kanë kryer grabitje, në atë mënyrë që të maskuar dhe të armatosur me revole, fillimisht sulmojnë punëtorët e kësaj pike të postës, e më pas nga arka marrin shumën prej 300 euro.
Me këto veprime, të akuzuarit F. S. dhe L. S. kanë kryer veprat penale “grabitje e mbetur në tentativë” dhe “grabitja” vepra të sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Të akuzuarit tjerë, L. S. dhe S. H. me datë 01.07.2019 deri më datë 03.07.2019, në kohë të pacaktuar në Gjilan, në bashkëveprim, me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete apo tjetrin kanë ndihmuar të akuzuarit F. S. dhe L. S., duke i njoftuar dhe udhëzuar për vendin dhe shtëpinë ku duhet grabitur.
Me këto veprime të akuzuarit L. S. dhe S. H. kanë kryer veprën penale “ndihma në grabitje e mbetur në tentativë” vepër e sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Trupi gjykues i Departamentit të Krimeve të Rënda, pas shtjellimit të gjitha provave dhe dëgjimit të dëshmitarëve, ka shpall aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve.
Të akuzuarit F. S. dhe L. S., për kryerjen dy veprave penale, i ka shqiptuar dënim unik me nga 8 (tetë) vite burgim dhe 3.000 (tremijë) euro gjobë, për secilin veç e veç. Të njëjtëve pas shpalljes së aktgjykimit, i’u është vazhduar masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e këtij aktgjykimi.
Të akuzuarit L. S. dhe S. H. për veprën penale të kryer, i ka shqiptuar dënim me nga 2 (dy) vite e 6 (gjashtë) muaj burgim dhe 500 (pesëqind) euro gjobë. Pas shpalljes së aktgjykimit, u është ndërprerë masa e paraburgimit.
Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit.