21 vjet nga çlirimi i Skenderajt, Jashari bën thirrje për unitet
Komuna e Skenderajt ka shënuar të enjten 21-vjetori e çlirimit. Kjo datë është shënuar me nderime tek shtatorja e komandantit Legjendar Adem Jashari në sheshin e qytetit, duke vazhduar me nderime tek kompleksi memorial “Adem Jashari”, në Prekaz.
Gjatë nderimit tek varrezat e familjes Jashari, kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari, ka thënë se lufta e familjes Jashari dhe dëshmorëve të tjerë, është gurëthemeli i ndërtimit të shtetit tonë.
“Lufta heroike e komandantit legjendar Adem Jashari, babës Shaban, babushit (Hamëzës), anëtarëve të familjes Jashari dhe gjithë të rënëve në altarin e Lirisë u bë gurëthemel i fortë i pavarësisë sonë. 21 vite pas ende janë të freskëta kujtimet dhe emocionet që kishim në ditën e çlirimit dhe kthimit tim në vendlindje, takimi im me Besartën dhe vizita tek kompleksi memorial “, ka thënë Jashari, raporton “Epoka e re”
I pari i komunës, ka bërë thirrje për unitet politik dhe për punë të vazhdueshme për të jetësuar amanetin e dëshmorëve që u flijuan për lirinë e vendit.
“Është një ditë e madhe për qytetin tonë por edhe për gjithë shqiptaret, por për fat të keq ende nuk është dita për të cilën kanë renë këta dëshmor, kështu që uroj që vitet e tjera t`i presim më mirë, të kemi mendje të shendosh, ta duam njëri- tjetrin, të kemi unitet mes vete dhe dashuri për vendin tonë”, ka thënë Jashari.
Ndërsa kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës, Hysni Gucati është shprehur i pakënaqur me gjendjen në të cilën sot ndodhen disa familje të dala nga lufta.
“Sot në 21-vjetorin e çlirimit të vendit një pjesë dërmuese e invalidëve dhe veteranëve , por edhe disa familjar të dëshmoreve, janë në gjendje jo të mirë ekonomike. Në emër të Organizatës së Veteranëve të Luftës dhe në emër të gjithë veteranëve, sot dua të uroj Drenicën për ditën e çlirimit”, është shprehur Gucati.
Homazhe në nderim të luftës së shenjtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë bërë edhe në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve në Marinë.