21 vjet nga vrasja e profesor Fehmi Aganit
Sot, 6 maj 2020, u bënë 21 vjet që nga vrasja e ish-nënkryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës Fehmi Agani. Profesor Agani është vrarë nga forcat serbe. Ai ka lënë gjurmë në historinë e Kosovës për liri dhe pavarësi. Ish-nënkryetari i LDK-së së bashku me familjen po përpiqeshin të shpërnguleshin nga Kosova me tren. Por, treni u kthye mbrapsht në kufirin me Maqedoninë, diku afër Fushë-Kosovës, policia ndaloi trenin, zbriti të gjithë udhëtarët dhe filloi maltretimin dhe vrasjen e disa prej tyre. Dëshmi të ndryshme të botuara në shtyp thonë se Agani u mor ose në një autobus së bashku me burra të tjerë shqiptarë, ose i vetëm me policët brenda një makine private.
Kufoma e tij u gjend të nesërmen buzë një rruge me baltë pranë Lipjanit. Për nder të tij është ngritur shtatorja e tij në oborrin e Fakultetit të Filologjisë në Prishtinë. Që nga vitet ’60 kur ishte paraqitur me argumentim e së drejtës së Republikës së Kosovës e deri me rastin e vrasjes, Agani e kishte vënë gjithë krijimtarinë e vet në shërbim të projektimit, të argumentimit dhe të realizimit të këtij qëllimi.
(B. D.: ‘Epoka e re’)