22 qershori i ‘98-s ishte ditë e kobshme për familjen Zogjani nga Halilaqi
E hëna e datës 22 qershor e vitit 1998 do të jetë dita më enigmatike dhe më e kobshme për familjen Zogjani nga Halilaqi i Fushë-Kosovës. Atë pasdite Hyseni, që ishte me vendbanim në lagjen “Dardania” në Prishtinë, kishte dalë për të blerë perime e gjësende të tjera për familjen, por nuk u kthye kurrë më në shtëpinë tonë dhe në mesin tonë.
Hyseni lindi më 10 mars të vitit 1957 në Halilaq të Fushë-Kosovës. Ishte një ndër fëmijët e parë (Hyseni ishte binjak me vëllanë, Ademin), të prindërve Ahmetit dhe Zojës, që me punë dhe sakrifica kishin rritur t’i rritnin shëndetshëm dhjetë fëmijë. Shkollimin fillor e mbaroi në fshatin e lindjes, të mesmen në Prishtinë, ndërsa studioi në Shkollën e Lartë Komerciale në Pejë.
Në vitet 1974-1975, kur Hyseni ishte i ri në moshë, kulla dykatëshe mes malit në Halilaq vizitohej shpesh nga dajallarët Azem dhe Gani Sylaj.
Ishte normale që dajallarët ta vizitojnë hallën, por këto frekuentime të dajallarëve në orët të vona të natës, pëshpërimat mes tyre dhe prindërve dhe kujdesin që tregonte e ëma kur përcillte nipat që i ngjiteshin malit, e bënë kureshtar djaloshin që ishte në formim e sipër. Iu zgjua shpejt kureshtja se çfarë fshihte nënë Zoja në arkën poshtë pajës së nusërisë dhe gradualisht fitoi besimin e dajallarëve për t’i lexuar librat “e ndaluar” dhe fletushkat që ndërroheshin herë pas here poshtë arkës.
Hyseni po kuptonte gjithnjë e më shumë për ndarjen e kombit shqiptar në disa shtete, për dhunën dhe padrejtësitë që i bëheshin popullit shqiptar të Kosovës dhe atyre në pjesë të tjera të Jugosllavisë së asaj kohe. Ai mësoi shpejt se dajallarët e tij me shumë shokë të tjerë po vazhdonin një veprimtari që s’ishte ndalur kurrë në shumë gjenerata, të një lufte të fshehtë për vetëdijesimin e bashkëkombësve për gjendjen e rëndë në të cilën ishin shqiptarët në këtë shtet që quhej Jugosllavi. Ai përqafoi shpejt idenë për liri e vetëvendosje për shqiptarët dhe të njëjta filloi t’i shpërndajë te shokët dhe moshatarët e tij.
Urrejtja ndaj regjimit iu shtua edhe më shumë kur dajallarët e tij me shumë shokë, miq e dhëndurë u arrestuan nga regjimi. Mori pjesë aktive në demonstratat e vitit 1981 dhe ishte në përpjekje të vazhdueshme për t’i gjetur lidhjet e shkëputura të atdhetarëve, që në masën më të madhe tashmë gjendeshin në burg. Me pasionin për muzikën dhe dashurinë për Shqipërinë, Radio Tirana ishte gjithmonë e hapur dhe këngët, radiodokumentarët e komentet për Kosovën incizoheshin të gjitha në shirit. Fryma e atdhedashurisë dhe urrejtjes për armikun po rritej gjithnjë e më shumë te të gjithë anëtarët e familjes.
I brumosur me dashurinë për shtetin amë, Shqipërinë, që në mundësinë e parë, pas hapjes së kufijve në vitin 1990, Hyseni e vizitoi shpejt atë.
Zhgënjimin që kishte përjetuar për vendin që e mendonte si parajsë me lule, e mbylli thellë në zemrën e tij dhe nuk e shprehte me të tjerët, duke mos dashur t’i zbehë shpresat se Shqipëria do t’i dilte zot Kosovës.
Vizitat e tij në Shqipëri u shpeshtuan në pesëvjeçarin e dytë të vitit ’90. Ato tani nuk kishin për qëllim eksplorimin e bukurive natyrore të Shqipërisë dhe as shuarjen e kureshtjes për ta njohur më mirë vendin e ëndrrave të tij.
Hyseni tashmë i ishte futur një pune tjetër shumë serioze dhe shumë të rrezikshme. Ai tashmë bënte pjesë në guerilen shqiptare që kishte filluar aksionet sporadike mbi postblloqet e policisë serbe. Shokët duheshin takuar, planet duheshin bërë mirë, vëmendja e kujdesi duhej të ishin në nivel shumë të lartë, ndërkohë që rreziku ishte gjithnjë e më i madh.
Me dhjetëra herë, ilegalisht, kaloi kufirin mes Kosovës dhe Shqipërisë. Armët duheshin bartur vetë dhe rrugët ishin shumë të vështira. Përpjekjet po bëheshin të vështira, konspiracioni duhej të ishte i thellë.
Armiqtë kishin depërtuar në çdo pore të jetës dhe po i ndiqnin këmbakëmbës. Shokët po vriteshin dhe arrestoheshin çdo ditë. Nait Hasani, Xhavit Haziri e Hafir Shala ishin arrestuar.
Rënia e Zahir Pajazitit, Hakif Zejnullahut dhe Edmond Hoxhës e lëndoi shumë.
Xheladin Gashi (Komandant Plaku), me të cilin ishte jashtëzakonisht i afërt, shpëtoi për pak nga arrestimi dhe kaloi në ilegalitet të plotë. Banesa e Hysenit në Dardani që prej vitesh ishte bërë çerdhe gueriles, ishte dekonspiruar dhe shokët duhet të kërkonin vendstrehim tjetër. Hyseni po ndiqej këmba-këmbës andaj as atë vetë nuk po e zinte më nata në banesën e tij. Kështu, atë pasdite qershori Hyseni, i veshur thjesht e me makinën e tipit “Golf”, doli për të bërë shpejt pazaret ditore, me shpresën se do të kthehej për ta kaluar mbrëmjen me katër fëmijët e vet, që po rriteshin të lumtur, pa ditur çfarë mund të sillte jeta. Por, ai nuk u kthye më kurrë dhe familja mbeti me ankthin e pritjes dhe mallin e pashuar për të.
Gjashtë muaj më vonë u arrestua edhe vëllai i tij i vogël, Arsimi, i cili kishte ndjekur rrugën e të vëllait. Arrestimi i tij ndodhi në një autobus lokal derisa ishte në një detyrë shumë të rëndësishme ngarkuar nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së. Pas katër muajve burg të rëndë, plot maltretime fizike e psikike, Arsimi u vra në Burgun e Dubravës.
Më 12 prill të vitit 1999 nga paramilitarët serbë u vra edhe babai i tyre, Ahmeti. Ai u gjet i varrosur në varrezat e fshatit Vragoli, ndërsa Arsimi u gjet i varrosur në fshatin Rakosh të Istogut. Tre muaj pas çlirimit, në një ceremoni të përbashkët, u rivarrosën të dy në fshatin e lindjes.