22-vjeçarja franceze u gjet e vdekur në Itali, policia dyshon se ishte në kërkim të fantazmave për një sfidë në TikTok
Një 22-vjeçare franceze, trupi i gjakosur i së cilës u gjet në një kishë të braktisur në Italinë veriore gjatë fundjavës, sipas policisë dyshohet se ishte duke kërkuar për një ndërtesë ku brenda saj besonte se kishte fantazma. Një zëdhënëse e policisë tha për CNN se ajo u tha anëtarëve të familjes për planet e saj përpara se të largohej nga fshati afër Lionit ku jetonte.
Policia beson se viktima mund të ishte përpjekur të kryente një sfidë në TikTok, duke shtuar se vdekja e saj mund të lidhej me një konkurs të gjuetisë së fantazmave që luhej në Francë në platformën e mediave sociale.
Policia është ende në kërkim të një të riu që është parë me të. Ka edhe dy raste të tjera të personave të zhdukur në zonë për të cilat policia thotë se mund të kenë lidhje.
Sipas zëdhënëses, viktima dhe shoku i saj ishte parë në zonë të veshur si “vampirë”. Një dëshmitar ka thënë për policinë se e reja ishte shumë e dobët dhe e zbehtë duke shtuar se dukej si një “kufomë në këmbë”.
Sipas ekspertit mjekësor, e reja ishte goditur me një thikë dhe ishte gjakosur deri në vdekje. Ajo kishte gjithashtu dy të shtëna me armë zjarri në qafë dhe një në bark që policia thotë se mund të jenë shkaktuar pasi ajo vdiq. Policia thotë se gjeti një pako me “marshmallow” rozë dhe disa sende ushqimore pranë trupit të saj. Gruaja nuk kishte dokumente apo celular në të kur një banor lokal zbuloi trupin e saj të dekompozuar.
Prokurori i zonës, Manlio D’Ambrosi tha për mediat lokale se ata po hetojnë gjithashtu praninë e një furgoni që u pa nga pamjet e vëzhgimit pranë kishës së braktisur javën e kaluar. Autoritetet po punojnë për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.