22-vjetori i bombardimeve të NATO-s, Konjufca takon komandantin e KFOR-it
Ushtruesi i detyrës së presidentit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka takuar komandantin e KFOR-it, Franco Federici.
Ai ka përgëzuar Konjufcën për suksesin në zgjedhje, duke ofruar vazhdimin e bashkëpunimit të mëtejmë për sigurimin e një ambienti të paqësor për të gjithë qytetarët e Kosovës.
Ndërsa Konjufca, ka përmendur 24 marsin e vitit 1999, kur ndërhyrja e forcave të NATO-s, kishte shpëtuar shqiptarët e Kosovës nga shfarosja nga ana e regjimit gjenocidal të Serbisë.
Në 22-vjetorin e bombardimeve ndaj caqeve të ushtrisë dhe policisë serbe në Kosovë, u.d. presidenti Konjufca ka falënderuar komandantin Federici për kontributin e shtetit italian, forcave të NATO-s, por edhe ato të KFOR-it, të cilat ndihmuan për lirinë e Kosovës dhe po ndihmojnë edhe më tej në aspektin e sigurisë.
“Në qershor të vitit 1999 ka ndodhur rikthimi i 1 milion shqiptarëve të dëbuar nga regjimi serb. Ne kemi rilindur”, ka theksuar Konjufca, duke iu referuar kontributit të NATO-s për lirinë e Kosovës.
Më pas, Konjufca ka bërë homazhe dhe ka vendosur kurorë te monumenti i pllakës memoriale të ushtarëve të KFOR-it, të rënë gjatë shërbimit në Kosovë.