22-vjetori i masakrës së Reçakut, Hoxhaj zhvillon bisedë telefonike me William Walkerin
Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për kryeministër dhe kryetar në detyrë i kësaj partie, Enver Hoxhaj, ka zhvilluar një bisedë telefonime me ish-ambasadorin William Walker, i cili 22 vjet më parë ia kishte prezantuar botës masakrën e Reçakut, të cilën e kishin bërë forcat serbe.
Hoxhaj ka thënë se gjatë kësaj bisede ia ka shprehur respektin e popullit të Kosovës për ndihën përcaktuese që ia ka dhënë vendit tonë.
“Për herë të parë në 22 vjetorin e shënimit të masakrës së Reçakut, nuk ishte mes nesh ambasadori William Walker. Për shkak të pandemisë dhe pamundësisë së udhëtimit, ai na dërgoi mesazhet nga zemra se është me ne sot dhe përherë, që kur alarmoi botën për krimet serbe. Sot, zhvillova një bisedë telefonike me të, për t’i shprehur respektin tim, të PDK-së dhe popullit të Kosovës për ndihmën përcaktuese që ai ka dhënë për Kosovën. Reçaku është dhimbja dhe kujtesa e jonë kolektive. Lavdi martirëve! Mirënjohje ambasadorit Walker”, ka shkruar Hoxhaj në llogarinë e vet në “Facebook”.