Këshilli i Kryetarëve të Komunave diskutoi për rekomandimet e Auditorit
Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani, ka marrë pjesë në takimin e Këshillit të Kryetarëve të Komunave të Kosovës ku është diskutuar për raportet e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) për komunat e Kosovës.
Me këtë rast, Osmani duke theksuar rëndësinë e procesit të auditimit të komunave dhe zbatimin e rekomandimeve në përmirësimin e qeverisjes në nivelin lokal, ai ka thënë se raportet e auditimit janë një lloj ekzaminimi shumë i mirë për kryetarët e komunave që të kuptojnë se çka duhet të përmirësojnë në të ardhmen.
“Është një mundësi e mirë të diskutojmë së bashku me ju të gjeturat e raporteve tonë dhe në të njëjtën kohë të marrim edhe një vlerësim nga ana e juaj për punën tonë dhe për të gjitha shqetësimet që ju i keni në raport me Zyrën Kombëtare të Auditimit”, ka thënë Osmani.
Ai ka shtuar se për t’u përmirësuar gjendja në komunat e Republikës së Kosovës janë shumë sfida, por ka zgjidhje.
Sfidat kryesore kanë të bëjnë me shfrytëzimin e buxhetit. “Përderisa ende kemi komuna që shfrytëzojnë vetëm 50 për qind të buxhetit vjetor tregon se flasim për një performancë relativisht të dobët në menaxhimin e buxhetit dhe kjo e zë një vend të merituar në raportet e auditimit, sepse kjo tregon qoftë për planifikim të dobët buxhetor apo për mungesë të kapaciteteve për të shfrytëzuar buxhetin”, ka theksuar ai.
Nga ana tjetër kryetarët e komunave kanë vlerësuar punën e Auditorit të Përgjithshëm si dhe pavarësisht vështirësive ata kanë shprehur gatishmërinë për të zbatuar rekomandimet.
Nga Ministria e Financave, drejtori i Buxhetit, Salvador Elmazi, ka theksuar se bazuar në rekomandimet e auditorit, jemi duke u munduar të gjejmë zgjidhje të qëndrueshme për zbatimin e rekomandimeve, në mënyrë që ato mos të përsëriten.
Në këtë takim që është organizuar nga Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) është diskutuar edhe për strategjinë e shtetit zvicerane në përkrahje të komunave të Kosovës të cilën e ka prezantuar drejtoresha e Zyrës zvicerane për bashkëpunim, Katharina Stocker.
Kurse strategjinë e shtetit suedez në përkrahje të komunave e ka prezantuar udhëheqësja për Bashkëpunim dhe zhvillim/zëvendës shefe e misionit të Ambasadës së Suedisë në Kosovë, Nasrin Pourghazia.
/Epoka e re/