Mbi 100 të vrarë në protestat në Iran
Amnesty International ka bërë me dije se forcat iraniane të sigurisë kanë vrarë të paktën 106 persona në protestat antiqeveritare që nisën të premten.
Bazuar në rrëfimet e dëshmitarëve okularë, Amnesty International, ka theksuar se forcat e sigurisë kanë vrarë 106 protestues dhe së shpejti do të publikohen edhe detaje të tjera.
Mediet shtetërore iraniane kanë raportuar se disa persona janë vrarë, përfshirë të paktën një anëtar të forcave të sigurisë në protestat që kanë nisur të premten dhe janë përhapur në dhjetëra qytete të tjera të vendit. Por, qeveria iraniane nuk ka publikuar ndonjë numër zyrtar të personave të vrarë.
Protestat kanë nisur në përgjigje të një vendimi për rritjen me 50 për qind të çmimit të karburantit të subvencionuar nga qeveria, raporton “TCh”.
Shumë iranianë e shohin këtë rritje si një tjetër barrë tjetër mbi ta në një kohë kur kushtet ekonomike në vend janë përkeqësuar ndjeshëm, kjo edhe si pasojë e sanksioneve të vendosura nga shtetet e bashkuara të Amerikës.
Irani ka shtypur me dhunë valën e fundit të protestave mbarëkombëtare që përfshiu vendin nga fundi i dhjetorit të vitit 2017 deri në fillim të janarit të vitit 2018.
Të paktën 22 persona janë vrarë në operacionet për shtypjen e atyre protestave, të cilat janë nxitur nga zemërimi i publikut me korrupsionin e qeverisë dhe keqmenaxhimin.