Emimi: Ballkani, skuadër e fortë, por kualifikohet Trepça ‘89

07 dhjetor 2019 | 07:36

Leart Emini për “Epokën e re” ka shprehur optimizëm se Trepça ‘89 do të jetë në gjendje të eliminojë Ballkanin nga Kupa, i cili në stinorin vjeshtor ka qenë në formë të jashtëzakonshme.

Sot (e shtunë) nga ora 12:30 zhvillohen katër ndeshje të 1/8 së finales së Digitalb Kupës së Kosovës në Futboll. Ndeshja kryesore do të jetë ajo në mes të Ballkanit dhe Trepçës ‘89 e cila zhvillohet në Suharekë. Një nga lojtarët më të mirë në klubin nga Mitrovica, Leart Emini, ka thënë të premten për “Epokën e re” se skuadra e Ballkanit është e fortë dhe e vështirë për t’u mposhtur si vendës, por ‘89-shi do të jetë ajo skuadër që kualifikohet në raundin tjetër.

“Do të jetë lojë e vështirë për të dyja skuadrat dhe është keq kur në këtë fazë njëra skuadër duhet të eliminohet. Ballkani ka një skuadër të fortë dhe është vështirë të mposhtet, sidomos në Suharekë, por ne jemi të koncentruar në lojën dhe filozofinë tonë, çka kemi dëshmuar edhe më herët se Trepça ’89 mund ta mposhtë secilën skuadër dhe nuk mund të quhet befasi. E përgëzoj Ballkanin që u shpall kampion vjeshtor sepse e ka merituar, por shpresoj dhe besoj se ne do të vazhdojmë në raundin tjetër të Kupës”, ka thënë Emini.

Optimizëm për ndeshjen që zhvillohet sot ka shprehur edhe mbrojtësi i Ballkanit, Besnik Krasniqi. Ai ka paralajmëruar se në këso ndeshje nuk lejohen gabimet, kurse maksimumi nga liderët e elitës, sipas Krasniqit, nuk do të mungojë për ta arritur objektivin. “Do të jetë një ndeshje shumë e fortë ndaj një skuadre mjaft të mirë siç është Trepça ‘89. Është një ndeshje dhe gabimet nuk falen, pasi nuk do të ketë vend për përmasime. Duhet të jemi të vëmendshëm të bëjmë sa më pak gabime dhe ta japim maksimumin ndaj tyre në mënyrë që të kalojmë tutje”, ka thënë Krasniqi.

Ndeshje interesante sot (e shtunë) do të zhvillohet në Skenderaj, ku Drenica e pret Dardanën nga Kamenica, kurse Feronikeli është favorit ndaj A&N dhe në ndeshjen e tretë përballen Vitia dhe Dukagjini. Të dielën zhvillohen katër ndeshjet e tjera në 1/8 së finales së Kupës në futboll, pastaj skuadrat do të shkojnë në pushim dimëror.

ÇIFTET E 1/8 SË KUPËS

Të shtunën takohen:

Ballkani – Trepça ‘89
Drenica – Dardana
Feronikeli – A&N
Vitia – Dukagjini

Të dielën takohen:

Arbëria – Prishtina
Trepça – Vushtrria
Liria – Ferizaj
Gjilani – 2 Korriku
(Të gjitha ndeshjet zhvillohen nga ora 12:30)

/Veton ZYMBERI/ 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Interin e “lënë gjunjët” përballë Romës. Është mbyllur në barazim…