23-vjeçares nga Drenasi iu keqësua gjendja në vendin e punës
Policia e Kosovës ka dhënë detaje shtesë lidhur me rastin e vdekjes së 23-vjeçares nga Drenasi.
Sipas raportit, asaj i ishte keqësuar gjendja në vendin e punës, dhe pasi ishte dërguar në QKUK, kishte vdekur.
Rasti në fjalë është duke u hetuar si vdekje e dyshimtë.
“QKUK, Prishtinë, 15.09.2021-17:45. Viktima femër kosovare, të cilës sipas informatave të para i ishte keqësuar gjendja shëndetësore në vendin e punës, pasi ishte dërguar në QKUK kishte ndërruar jetë, dhe sipas mjekëve gjendja e saj shëndetësore ishte e rëndë. Sipas mjekëve të QKUK-së, rekomandimi i tyre ka qenë që trupi i pa jetë i viktimës të dërgohet në IML për obduksion, por familjarët ka refuzuar. Për shkak të dyshimeve, njësitet policore janë duke hetuar rastin. Është informuar edhe prokurori”, ka njoftuar policia.
Për vdekjen e 23-vjeçares janë deklaruar dje edhe nga Klinika Emergjente e QKUK-së.
Sipas QKUK-së, ajo ishte dërguar në emergjencë shkaku i humbjes së vetëdijes, me bebëza të zgjeruara, pa tension arterial, pa puls periferik dhe me frymëmarrje të vështirësuar.
“Menjëherë mjekët dhe stafi shëndetësorë ka ndërmarrë masat reanimatore, pacientes i bëhen analizat laboratorike, radiologjike dhe konsulencat tjera mjekësore. Përkundër përpjekjeve maksimale nga stafi i Klinikën Emergjente, pacientja nuk arriti të mbijetonte, vdekja konstatohet në ora 17:45. Diagnoza përfundimtare e vdekjes ishte hemorragjia intraabdominale ( gjakderdhje në bark) , shok hemoragjik. Familjarët kanë refuzuar abduksionin”, ka njoftuar QKUK-ja.