23 vjet nga aksioni diversant i luftëtares së UÇK-së në Spitalin e Pejës, dëshmores Mervete Maksutaj

03 dhjetor 2021 | 16:01

(Rrëfim ekskluziv i Naim Lushit, i njeriut për të cilin Mervete Maksutaj ra dëshmore në aksionin për ta tërhequr nga spitali i Pejës, më 4 dhjetor 1998)

E rritur nëpër pellgun e vuajtjeve të popullit të saj, e kalitur nëpër tehun e mprehtë të dhimbjeve, ku vetëm buzëqeshja asnjëherë e shuar, fshihte e në të njëjtën kohë thoshte gjithçka.

E dedikuar që këtë buzëqeshje t’ia dhurojë përjetësisht popullit të saj, për ta stolisur jetën e tij së bashku me lirinë!

MERVETE MAKSUTAJ, simboli i guximit, i besnikërisë e i dëlirësisë së UÇK-së, nesër mbush 23 vjet të jetës së saj si HEROINË E PAVDEKËSISË!

Ëndrra për lirinë nuk bëhej fjetur, prandaj Mervetja e përbuzi atë lloj ëndrre që bëhej në gjumë. U zgjua bashkë me krismat e lirisë për t’u bërë jehona e saj. Shpirti i saj i plagosur rëndë edhe nga dhimbja për vëllanë e vrarë në Shërbimin ushtarak në APJ merrte flakë më përvëluese bashkë me dhimbjet e popullit tonë të robëruar ndër shekuj. Bashkë me zgjimin ajo e nisi hapin e saj triumfal drejt çlirimit, drejt pavdekësisë e lavdisë së saj.

Më 4 dhjetor 1998, në atë dimër të acartë, që sikur po i hapte rrugë Pranverës së Madhe Shqiptare, me kurora të panumërta lulesh të lirisë kudo në vendin tonë, gjendesha i plagosur rëndë në Spitalin e Pejës që mbahej në rrethim të hekurt nga forcat kriminale serbe. Mëngjesin e zymtë të asaj dite e trazuan më shumë se herave të tjera krismat e automatikëve. Mervetja bashkë me bashkëluftëtarin, Besnik Shala ‘GAZI’, kishin ndërmarrë aksion diversant për nxjerrjen time nga aty. Luftë e ashpër ishte zhvilluar në mes dy luftëtarëve të shquar e sypatrembur të UÇK-së dhe njësiteve të tëra të policisë e formacioneve të tjera serbe, që as kishin mundur të imagjinonin një sulm të tillë brenda fortifikimeve të tyre të sigurisë. Aty brenda qytetit, brenda koncenteimit të forcës së tyre, ku mendonin se kanë siguri të pacenueshme. Mbase i vetmi i llojit të tillë në gjithë luftën heroike të UÇK-së. Humbje të mëdha kishin pësuar atë ditë pasi Mervetja dhe Besniku, nuk ishin kursyer aspak në luftën e tyre. Por një plumb snajperi kishte qëlluar Merveten në kokë e cila puthi tokën e Atdheut të saj, tokën e gjakimit të saj dhe ngjiti shkallët e pavdekësisë drejt lavdisë së përjetshme.

Më shumë se tre vjet burg nuk m’u shqit nga mendja fotoja e saj që gjatë torturimeve në zyrat e UDB-së serbe, një ditë, më nxorën përpara syve. Ishte hera e parë që e kuptoja se kushë ishte vrarë. Mbase nuk është e nevojshme të përshkruaj se si u ndjeva në atë çast, por ishte momenti nga i cili asnjëherë nuk m’u shqit ajo dhimbje dhe ai trishtim për atë humbje të madhe që kishim pasur, si shokë, si familjarë, si luftëtarë dhe si shqiptarë.

Nga ai moment e kuptoja më mirë egësinë e agjentëve që më torturonin, sepse marrë parasysh aftësitë luftarake të Mervetes dhe të Besnik Shalës që gjithsesi supozoja se do të duhej të ishin bashkë në atë akcion, e dija se sa do të duhej të ishin të mëdha humbjet nga pala tjetër, nga ajo pala kriminale që mëtonte shfarosjen tonë si popull.

Mervetja nesër do ta zbukurojë oborrin e Spitalit të Pejës me shtatoren e saj që do të zbulohet. Do ta zbukurojë jo vetëm me madhështinë fizike të shtatores, jo vetëm me faktet historike të cilat ajo do t’ua komunikojë brezave, por me të bukurën e madhërishme të jetës, të veprës dhe të rënies së saj për të mbetur gjithmonë e gjallë me lirinë.

Me mikun tim, Bislim Zogaj, pothuajse nuk kishte ditë brënda qelive të burgut që nuk kujtonim Merveten, Skënden e shumë dëshmorë të tjerë të luftës për liri ndaj më vjen sot që krahas bashëkluftëtarëve e familjarëve, t’i them urime atij që bëri të mundur ndërtimin e kësaj shtatoreje nga pozita e tij si Menaxher i Agjencisë së Komplekseve Memoriale.

Ne do ta kujtojmë gjithmonë Merveten, do ta mbajmë të freskët në zemrat tona gjithë kujtimin e heroizmit të saj, por shtatorja që nesër i zbulohet në Spitalin e Pejës do të ua kujtojë gjithë brezave pasardhës atë si njërin nga simbolet e një gjenerate që në emër të lirisë e mohoi gjumin dhë ëndrrat në gjumë, për t’i zëvëndësuar ato me idealin e pashuar të luftëtarit të lirisë, të zgjuar e të pa frikë në emër të një populli të shtypur e të përbuzur , të luftëtares sypatrembur që nuk bënte llogari me çmimin vetanak që do të paguhej në emër të atij qëllimi. 

 

Mund të jetë një imazh i 8 persona dhe njerëz në këmbë

Në këtë fotografi është Besnik Shala para arkivolit të dëshmores Mervete Maksutaj. Njëkohësisht ky moment ka qenë edhe dalja e parë publike e UÇK-së në Lugun e Drinit, që vinte pas ofanzivave të gushtit e të shtatorit kur thuhej se UÇK-ja është shpërbërë, ka thënë Naim Lushi. (marrë nga gazeta Demos).

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Me çlirimin e Kosovës nga pushtimi serb dhe shpalljen e…