23 vjet nga masakra e Izbicës, Konjufca: Për gjenocidin e Serbisë mbi popullin tonë ende s’ka drejtësi
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka përkujtuar 147 shqiptarët ishin masakruar nga forcat serbe në Izbicë të Skenderajt.
Ai ka thënë se për masakrën e Izbicës dhe shumë masakra të tjera ende nuk ka drejtësi.
“Dita e festës së Bajramit e 28 marsit 1999 u kthye në ditë lemerie dhe kobi. Në Izbicë të Skenderajt, forcat pushtuese serbe i masakruan 147 shqiptarë të pafajshëm, në mesin e tyre edhe foshnje të sapolindura, gra, pleq e të rinj. Po atë ditë dhe më 29 e 30 mars në Beleg të Deçanit dhe fshatrave përreth, Drenoc, Gjllogjan e Irzniq, u vranë, u masakruan dhe u zhdukën me dhunë mbi 66 shqiptarë. Trupat e disa prej tyre ende nuk janë gjetur. Le t’i kujtojmë me pikëllim dhe krenari edhe 19 anëtarët e familjeve Bogujevci, Duriqi, Llugaliu e Gashi nga Podujeva, si dhe 21 martirët e Matiqanit të Prishtinës, të cilët u vranë po më 28 mars të vitit 1999. Për këto krime të gjenocidit të Serbisë mbi popullin tonë ende nuk ka drejtësi. Kurse Serbia udhëhiqet nga një person i cili para një jave tha se Milosheviqi nuk ka bërë asnjë krim! I përjetshëm qoftë kujtimi për të gjithë të rënët për lirinë dhe pavarësinë e Republikës së Kosovës!”, ka shkruar Konjufca në llogarinë e vet në “Facebook”.