23 vjet nga masakra më e rëndë në Evropë
Sot kur bëhen 23 vjet nga masakra më e rëndë në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore, në Srebrenicë do të varrosen edhe 35 viktima.
23 vjet pas vrasjeve, ende vazhdojnë të gjenden varre masive. Kësisoj, identifikimi i viktimave është i vështirë, pasi trupat ishin copëtuar nga ekskavatorët që i hidhnin në varre. Dhe çdo vit më 11 korrik, eshtrat e atyre që identifikohen gjatë vitit të fundit varrosen në Qendrën përkujtimore të Potoçari.
Ndërsa, gjithë ky krim ka ndodhur, pasi Serbia kishte nisur luftën në 1992 në Bosnje. Në prill të vitit 1995 Organizata e Kombeve të Bashkuara e kishte deklaruar Srebrenicën në verilindje të Bosnjës si “zonë të sigurt”.
Zona ruhej nga paqeruajtës të OKB-së, të njohur si “kaskat blu”. Megjithëkëtë më 11 korrik 1995, në Srebrenicë të Bosnjës u patën ekzekutuar dhe masakruar barbarisht mbi 8000 civilë të paarmatosur.