23 vjet nga rasti “Panda”, i burgosuri rrëfen vuajtet në burg dhe trajtimin më pas nga shteti i Kosovës
Këtë të martë që shënohet data 14 dhjetor janë mbushur 23 vjet nga rasti njohur “Panda”, që ndodhi në qendër të Pejës, kur u vranë 6 të rinj serbë, ndërsa për të askush nuk u dënua deri më sot, shkruan GazetaDemos.
Ani pse në gjyqësorin e Kosovës rasti “Panda” nuk figuron, në Serbi vazhdojnë të zhvillohen hetime, sipas mediave serbe.
Ndërkohë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, disa herë ka përsëritur se ekzistojnë “disa njohuri” për rastin, por megjithatë ai ende nuk është zgjidhur.
Nxënësit e vrarë në rastin “Panda”
Ky rast ani pse nuk është zgjidhur nga shteti i Serbisë, të burgosurit nga ky rast ende i kanë kujtimet e freskëta.
Gjashtë të burgosurit për këtë rast janë, Behar Bajri, Xhevdet Bajrami, Beqir Loxha, Gazmend Bajrami, Agron Kollaqaku dhe Vllaznim Përgjegjaj
Ky i fundit në një intervistë për Gazetën Demos, tregon se si ndjehet sa herë në vitin kalendarik shënohet 14 dhjetori.
“14 dhjetori nuk është datë e lehtë me u kujtu, duke marrë parasysh se para 23 viteve ka ndodh një vrasje makabër nga vetë forcat e regjimit serb ndaj gjashtë nxënësve në Pejë, ku jemi arrestuar unë dhe disa shokë të mi në Pejë, dhe jemi akuzu për të njëjtën vrasje dhe disa vrasje tjera të organizume, kujtimet për atë kohë janë të pa harrueshme, unë punoj në qendër të Pejës, dhe sa herë që kaloj andej, e shoh shokun tim Beharin, e në gjendjen që është ai, më kujtohet kjo datë, pasi vutjet që i ka janë të mëdha, është shumë e vështirë, se i kemi kalu të njëjtat tortura e rrugëtim”, është shprehur ai.
Edhe torturat serbe kanë qenë nga më të ndryshmet, ndërsa që të gjithë të burgosurit janë torturuar njësoj, ku edhe kaluan një vit në burgjet serbe.
“Torturat kanë qenë të njëjtat për të gjithë, në fillim kur na kanë arrestu në natën e 14 dhjetorit, neve na kanë majt katër ditë e katër netë në SUP të Pejës, tuj na rrehë e tuj na maltretu, me të gjitha metodat, me qëllmin e vetëm për me pranu krimin, të cilin ne as nuk e dinim për çka bëhej fjalë, maltretimet kanë qenë në të gjitha mënyrat, kur na patën dërgu në burgun e Leskocit, një burg ky famëkeq, ku kanë vdekur edhe njerëz nga rrahjet që u bënin, neve na kanë maltretu me lloj-lloj mjete, me zingjir, me hekër, me shipka, me shkop të bejzbollit, me kabllo të rrymës, metoda këto që as në kafshë nuk përdoren”, ka shtuar ai.
Ai tregon se ka kërkuar nga institucionet që të ruhet edhe vendi ku ka ndodhur krimi makabër, pasi që mund të përdoret si dëshmi tek ndërkombëtarët.
“Unë kam kërku disa herë që ai lokal ku ka ndodh rasti të mbrohet, kam kërkuar nga kryetari i Pejës e nga të gjithë, nga se kam dëgju që po dojnë me rrënu, e kam kërku që ai lokal të mbrohet me ligj, që të vendoset një pllakatë apo të ngritet një lapidar që me i tregu krejt botës, se nuk ka ndodh krimi prej UÇK-së, po ka ndodh prej shërbimeve sekrete të Serbisë”, ka deklaruar Përgjegjaj.
Përgjegjaj shpreh indinjatën e tij ndaj institucioneve kosovare, të cilët për asnjë moment nuk janë interesuar për ta, madje sipas tij edhe i kanë degraduar ata.
“Përpos disa deputetëve individual që e kanë përmend disa herë në Kuvend, shteti i Kosovës nuk është marrë asnjëherë me ngjarjen që ka ndodh, unë personalisht jam i plagosur në këmbë, ma kanë thyer këmbën në burg, kam kërkuar statusin e invalidit, por nuk ma kanë pranuar, ani pse sipas ligjit, tregohet çartë se një pjestarë i UÇK-së, nëse plagoset edhe në burgje i takon statusi, këtë mënyrë shteti jo që nuk na ndihmu, por edhe na ka dëmtu e na ka degradu”, ka përfunduar një nga të burgosurit në rastin “Panda”.
Këto ditë me inciativë të regjisorëve kosovarë për rastin “Panda” do të bëjnë një film.
Më 14 dhjetor të vitit 1998, dy meshkuj të maskuar hynë në kafenenë “Panda”, që ndodhej në qendër të Pejës, përballë Gjimnazit, dhe nga një rafall të shtënash nga armë automatike lanë të vdekur pesë nxënës serbë të shkollës së mesme, dhe një student, po ashtu serb.