23 vjet nga rënia e dëshmorit-profesorit Selim Berisha
Shkruar nga: Prof. Haqif Mulliqi
“Ribotim”
Janë njëzetetrivjet të pasluftë këto që, para nesh, hapën tema të mëdha, tema nëpër të cilat si në kështjella baladash, gurë pas guri, histori pas historie, trimëri pas trimërie, u konstituua mbamendja jonë; kujtesa jonë mbi vlerat e flijimit sublim përmes të cilave, më pas, u hap dhe vazhdon të hapet edhe vetë tema e madhe e heroizmit të luftëtarit shqiptar, si nëpër legjendat më të moçme, me të cilat jemi rritur, e që, në fakt, janë dëshmi e një kohe tejhistorike, nëpër të cilën rrjedhimisht gjejmë kodin e flijimit për të sotmen dhe për të ardhmen e këtij vendi dhe të këtij populli. Ndërsa, një dëshmi e këtillë ishte jeta, lufta dhe rënia heroike e iluministit dhe luftëtarit të lirisë, Selim Berisha, të cilin po e përkujtojmë sot.
Jo rrallë, për këto 23 vjet, duke reflektuar nëpër përvjetorë dëshmorësh si ky i Selim Berishës do të jemi përballur me shumë pyetje dhe me shumë dilema lidhur me atë se cila është ajo fuqi e trupit dhe e shpirtit të këtyre burrave dhe grave të etnisë sonë që i bëri aq të patrembur, aq të guximshëm dhe aq të denjë për të qenë dëshmorë të kombit dhe se, e tëra kjo, a thua ishte vetëm sakrificë sublime e trimave të Kosovës apo edhe një privilegj i të veçuarve!? I më të mirëve!?
Aristoteli, filozofi i shquar i antikitetit, mësuesi i Aleksandërit të Madh, mendohet të ketë qenë ilir, ngase vetë grekërit e quani barbar, pra të huaj, në Poetikën e tij personazheve siç janë dëshmorët që i përkujtojmë ne në këtë kohë, pra siç është edhe dëshmori Selim Berisha, u referohej si heronj tragjik e që, në fakt, janë figura qendrore të ngjarjeve të madhe në të cilat pësojnë ata, mirëpo, jo për shkak të fajit të vet, por, para së gjithash për shkak të vullnetit të lirë dhe përcaktimit të tyre për t’iu kundërvënë një të keqeje të madhe. Pra, për shkak të hybrisi.
E, ku kishte të keqe më të madhe për ne se sa Serbia?!
E, këto mësime të këtij filozofi, bashkë me mësimet që i morëm nga vetë jeta si dhe historia e luftës sonë të lavdishme për liri, edhe në rastin e rezistencës heroike dhe rënies së Dëshmorit të Kombit, Selim Berisha, na sjellin ndër mend njëherazi edhe simbole mitike që ndeshen shpesh si në historitë e mëdha nga e kaluara, ku heroi merr udhë për të kërkuar diçka që për të tjerët mbase mund të duket e pakapshme, apo diçka që, për shumkë, mund të duket e paarritshme, por, e cila, vetë atyre, në fund të fundit, ua sjell nderin dhe lavdinë e madhe dhe përuljen tonë para veprës së tyre.
Fundja, sikundër e tha edhe dikush tjetër, një luftëtar i vërtetë i denjë për të rënë dëshmorë në fushë të mejdanit, nuk tenton të duket, por ai është vetja e tij; është koha e tij, është e ardhmja e një vendi dhe e një kobi! Ai është Liria.
Në këtë kuadër, Selim Berisha, sikundër edhe dëshmorët tjerë të Kosovës, u shndërruan në mbamendjen tonë. U shndërruan në një gjerdan me vlerë emblematike, në shenj dhe simbol për etninë tonë, duke e hapur e mbyllur historinë, identitetin, kulturën dhe ekzistencën tonë kombëtare në mënyrën më të lavdishme.
Rënia e luftëtarit të lirisë në fushëbetejë – të nderuar të pranishëm – është një akt i shenjt i triumfit, por edhe i vetmisë në të njëjtin çast, edhe pse, Luftëtarët e Lirisë, dëshmorët e kombit, e dinin se, vetmia është krijuar për të na e mësuar harmoninë. Ndaj dhe zemërimin e tyre, burrat si Selim Berisha, e përdorën, jo me shprehje egoizmi, por, për ta treguar vlerën e pafundme të paqes me veten e tyre. Shqetësimin, për të vënë në dukje rëndësinë e aventurës dhe të braktisjes. Sepse, në fund të fundit, vetë Zoti e përdori heshtjen për të ngulitur në mendjen e njerëzve përgjegjësinë e fjalëve para se të marrin vendimin e tyre për të vepruar.
Lodhjen që të njohim vlerën e pushimit.
Sëmundjen, për të nxjerrë në pah bekimin që përfaqëson shëndeti.
Ai përdori zjarrin për të na mësuar neve mbi ujin.
Tokën, që ne të kuptojmë vlerën e ajrit.
Ai e përdor vdekjen për të nxjerrë në pah rëndësinë e jetës.
E dëshmorët që ne, nesër, ta kujtojmë vlerën e lirisë.
Figurat e dëshmorëve të kombit, siç është kjo e profesorit Selim Berisha, janë figura heronjsh të vërtetë. Heronjsh që i kemi takuar, jemi dorështrënguar së bashkime ta; kemi këmbyer fjalë dhe mendime ndërmjet veti – takime këto, të cilat, sot na vijnë si momente të rëndësishme të jetës sonë. Ndoshta, ndoshta edhe si mesazhe universale dhe kuptimplota, ngase mu këta ishin personalitetet që projektuan të ndodhurën historike nëpërmjet shenjave të jetës së tyre, e cilat, ashtu, veç e veç, ka mbetur si relikte i një kohe që ka prodhuar e projektuar vizionaritetin e pavarësisë në mbrojtje të përhershme të shenjave të etnisë. Si relikt që i shton thellësinë mbamendjes sonë historike dhe kombëtare. Diçka e pashlyeshme.
Historia e luftës dhe rënies së Selim Berishës është e veçantë. Sikundër është e veçantë edhe historia e rënies së akëcilit dëshmorë të kombit. Selimi, me mënyrën e të rezistuarit të tij, me trimërinë dhe burrërinë e tij, në fakt na vjen si prej miteve shqiptare: I vendosur në kullë, të qëndrojë deri në fishekun e fundit… Deri në pikën e fundit të gjakut për ta njomur tokën e dheut mëmë. Duke luftuar kundër një ushtrie të tërë.
A nuk duket ky si një syzhe legjendash!?
Një luftëtar i atdheut është gjithmonë vigjilent. Ai nuk i pyet të tjerët për të vringëlluar shpatën. Shkrepur pushkën. Plasur bombën.
Ai nuk e humb kohën duke shpjeguar veprimet e tij.
Është besnik ndaj vendimeve para kombit, dhe përgjigjet për gjithçka bën. Ai vështron në thellësi, mbi horizont dhe njeh, shokët, miqtë, familjarët. Ndërsa, kur vështron më afër dallon armiqtë; dhe është i pamëshirshëm ndaj të keqes. Ndaj dhe kënaqet tek largon armiqtë nga jeta e tij. Me luftë. Me pushkë lirie. Duke luftuar gjatë, aq sa ka nevojë të luftojë. Sepse, sikundër e thamë më lartë: një luftëtar nuk bënë sikur, por ai është. Ndaj dhe, historia na solli të tërë këta heronj, dëshmorë… Luftëtar lirie!!! Të tërë këta!
Kush prej nesh – të dashur miq – nuk e di luftën dhe ngujimin trimëror të Oso Kukës, të cilit, me aq nderë dhe respekt i këndoi Gjergj Fishta tek Lahuta e Malci?. I kënduam edhe ne….
Apo, sa të freskët e kemi në mbamendjen tonë historinë e Tahir dhe Nebih Mehës të cilët kullën e tij e shndërruan në istikam tmerri për forca barbare serbe!?
A ka përngjashmëri tek lufta e Selim Berishës me luftën e Afrim Zhitisë dhe të Fahri Fazliut që ranë mu në zemër të Prishtinës?
Apo edhe me luftën e Hasan Ramadanit i cili, në Albanik, gjithashtu iu kundërvu taborëve armike, për të mos e lëshuar shtëpinë as armën para forcës së armikut deri në rënie!?
E atdheu, atdheu dhe robëria e tyre, qëndruan gjithmonë në mes… Mes jetës dhe flijimit.
Në librin e tij plotë hirë dhe thellësi të mendjes, “Manuali i luftëtarit të dritës”, Paulo Kuelo ndër të tjerat thotë: “Luftëtarët e dinë, se asnjë njeri nuk është si një ishull i vetmuar. Ai e di se nuk mund të luftojë vetëm çfarëdo projekti të ketë“… Por, Selimi, sikundër dhe dëshmorët tjerë të kombit tonë, në fakt, pavarësisht nga akti sublim i kalimit të tyre në përjetësi, nuk u varën nga njerëzit, por nga ndjenja e tyre e atdhedashurisë për t’u flijuar për liri të vendit tonë.
“Një luftëtar i dritës”, thotë shkrimtari, “vallëzon me bashkëluftëtarët e tij, por nuk ia lë askujt përgjegjësinë për hapat e tij.”
E, siç e dimë, Selimi përgjegjësitë ia dhe vetës ndaj dhe vdekja i kishte hije burrit i cili pak kohë para se të binte në logun e nderit ishte shprehur se: “Nëse do të vdes, do të vdes me pushkë në dorë.”
I këtillë ishte profesori Selim Berisha. E këtillë ishte vepra e tij. E këtillë lufta e tij.
E pastë të lehtë dheun e tokës nënë.
Lavdi atij dhe gjithë dëshmorëve të kombit.
Burrat si Selim Berisha, tashmë janë shndërruar në shenja të kohës sonë. Në fakt, janë shndërruar në një lloj alfabeti dëshmorësh, të cilin do të duhej të dinim ta lexonim që të gjithë ne, nëse duam ta kuptojmë jetën si sakrificë sublime që kërkon një kohë e pakohë, por në të cilën lindi lavdia e dëshmorëve të kombit. Ndaj dhe ne, përmes këtyre shenjave, këtij alfabeti, sot e gjithë jetën do të mësojmë se kush ishim dhe nga duhet të shkojmë. Ndërsa ky është identiteti ynë.