23 vjet nga themelimi i gazetës “Epoka e re”
Gazeta e përditshme “Epoka e re” është themeluar më 15 dhjetor 1999, por numri i saj i parë ka dalë më 25 janar 2000.
Sot (e mërkurë) “Epoka e re” ka mbushur 23 vjet që nga numri i parë.
Në këto vite gazeta ka pasur edhe sfida, disa të rënda e disa të lehta, por deri më sot i ka kaluar të gjitha me sukses.
“Epoka e re” botohet online https://www.epokaere.com/ dhe në formatin PDF.
Pas fillimit të pandemisë Covid-19 edhe në Kosovë, pas vendosjes së masave kufizuese nga institucionet e vendit, për parandalimin e përhapjes së kësaj pandemie dhe futjen e vendit në izolim, u ndal edhe botimi i medieve të shtypura.
Sot Kosova vazhdon të jetë vendi i vetëm në botë pa gazetë të shtypur ditore.
Në formatin PDF sot është botuar numri i 6 811 i “Epokës së re”.
Botues i gazetës “Epoka e re” është Muhamet Mavraj, personalitet i njohur i demonstratave studentore të vitit 1997.
“Epoka e re” shquhet për kuadrin e saj kritik gazetaresk, i cili synon arritjen e një
informacioni të ri në mjedisin shqiptar dhe formësimin e audiencës kritike.