LeBron ‘shëtit’ ndaj New York-it
New York Nicks rezultuan “kafshatë” e lehtë për Los Angeles Lakers, që përmbushën pritshmëritë e publikut në “Staples Center” me një fitore të thellë 117-87. Plot 30 pikë diferencë, çka tregon epërsinë e padiskutueshme të kalifornianëve, të udhëhequr nga LeBron James, më i miri mbi parket me 31 pikë.
Në fakt, mbrëmja e basketbollit amerikan nisi me përballjen mes Cleveland Cavaliers dhe Detroit Pistons, me këta të fundit që fituan me vetëm 2 pikë diferencë, 113-115. Vendimtare 24 pikët e Derrick Rose si dhe 23 pikë dhe 20 “rebound” të Andre Drummond, i cili mund të largohet së shpejti nga skuadra e Michiganit. Tjetër humbje në shtëpi për kampionët në fuqi të Toronto Raptors me rezultatin e ngushtë 99-101 ndaj Portland Trail Blazers. Një sukses që i faturohet Carmelo Anthonyt, autor i 28 pikëve dhe i 7 “rikuperimeve”. Për Blazers shtoi edhe 20 pikë tjera dhe 9 asistime Lillard, ndërsa përpjekja e Kyle Lowry, që e mbylli takimin me 24 pikë, nuk mjaftoi për të shmangur humbjen e Raptors.
U desh koha shtesë për të përcaktuar fituesin në duelin mes Brooklyn Nets dhe Oklahoma City Thunder. Skuadra mike ruajti qetësinë pas përfundimit të kohës së rregullt dhe falë 28 pikëve të Chris Paul triumfoi me rezultatin 103-111.
Vazhdojnë të mahnitin talentet e Memphis Grizzlies, që falë suksesit 119-112 përballë Minnesota Timberwolves i afrohen vendit të tetë në Konferencën e Perëndimit. Spikati “rekruti” Ja Morant, autor i 25 pikëve dhe 7 asistimeve, sikurse Dillon Brooks (28 pikë) dhe Jarren Jackson Jr. (21 pikë). Forma e mirë e Devin Booker, i cili realizoi 34 pikë përballë Sacramento Kings, rezultoi e pamjaftueshme për Phoenix Suns, që u dorëzuan në fund me rezultatin 103-114. /Supersport/
Rezultatet
Detroit Pistons – Cleveland Cavaliers 115-113
Portland Trail Blazers – Toronto Raptors 101-99
Oklahoma City Thunder – Brooklyn Nets 111-103
Minnesota Timberwolves – Memphis Grizzlies 112-119
Sacramento Kings – Phoenix Suns 114-103
New York Knicks – Los Angeles Lakers 87-117