24 mijë vende të punës kanë humbur në Kosovë
Në Odën Ekonomike të Kosovës (OEK) të hënën është bërë prezantimi i IFO Indikatorit nga Oda Ekonomike, i cili ka matur klimën e të bërët biznes në tremujorin e dytë të vitit 2018
Sipas këtij raporti, tremujori i dytë i këtij vitit e gjeti në gjendje jo të kënaqshme të bërit biznes në Kosovë.
Kryetari i Odës Ekonomike, Berat Rukiqi, ka thënë se bizneset janë përkeqësuar në tremujorin e dytë të këtij viti.
“Në çdo indikator kemi ulje të kënaqshmërisë, do të thotë kemi përkeqësim të gjendjes së bizneseve. Vetëm 26 për qind e bizneseve kanë pritje për punësim dhe kjo shënon rënie nga tremujori i kaluar. Nga 69 për qind kemi 35 për qind të cilët janë me pritje pozitive ose që kanë pritje më optimiste për këtë tremujor. Që nga tremujori i tretë i 2017-s deri tash 24 mijë e 100 vende të punës kanë humbur, një supozim mund të jetë edhe kontratat që po bëhen jashtë vendit”, ka thënë Rukiqi, duke shtuar se konkurrenca jolojale, mungesa e mjeteve financiare dhe ekonomia informale janë disa nga barrierat kryesore të të bërit biznes.
Në konferencë, Rukiqi ka folur edhe rreth shtimit të grabitjeve dhe vjedhjeve në biznese dhe zhvillimet e tjera ekonomike në vend.
“Kemi ngritur shqetësimin në polici, që nga 15 gushti kanë ndodhur shtatë grabitje dhe kjo është për t’u shqetësuar sepse bankat mbajnë edhe kapital të huaj. Një nga aspektet kryesore që duhet t’i nxitë investimet e huaja është siguria. Ne do t’i shkruajmë lejet drejtorit të përgjithshëm të policisë dhe institucioneve përkatëse. Çdo cenim i kapitalit në Kosovë lidhet edhe me procese të mëdha siç është liberalizimi, Kosovë nuk e ka imazhin e mirë, mirëpo nëse vazhdon me këtë trend do të rezultojë me tërheqje të investimeve”, është shprehur më tutje Rukiqi.
/Epoka e re/