24 nxënës largohen nga testi i maturës
Komisioni Shtetëror i Maturës (KShM), ka mbajtur të enjten takimin e radhës, ku ka analizuar raportet e ardhura nga terreni pas përfundimit të ditës së parë, të pjesës së dytë të provimit të Maturës Shtetërore, e cila është mbajtur në regjionin Prishtinës.
Në këtë takim, ky komision ka konstatuar se në përgjithësi testi ka shkuar mirë dhe nuk ka pasur parregullsi të mëdha.
Siç, ka njoftuar Ministria e Arsimit, KShM-ja ka përjashtuar 24 nxënës nga testi për shkak të mos respektimit të rregullave.
“Komisioni, në bazë të raporteve të pranuara nga regjioni në të cilin maturantët sot i janë nënshtruar Testit të Maturës, ka mbledhur edhe të dhënat lidhur me gjithë akterët e përfshirë në këtë proces, ku në bazë të këtyre të dhënave, rezulton se vetëm gjatë ditës së sotme për shkak të posedimit dhe përdorimit të telefonave dhe mospërfilljes së rregullave tjera të këtij procesi, janë përjashtuar nga procesi 24 nxënës, të cilët do ta humbin këtë afat të testimit”, është thënë në njoftimin e Ministrisë së Arsimit.
Kjo ministri ka theksuar se sipas këtyre raporteve të pranuara, ndaj dy komisionerëve, një në qendrën numër një në Drenas dhe një në qendrën numër tre në Prishtinë janë iniciuar masa diciplinore sipas legjislacionit në fuqi.
/Epoka e re/