24 policë kanë vdekur nga Covidi, Sveçla thotë se janë vaksinuar rreth 8 mijë zyrtarë policorë
Me rastin e 22-vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës është mbajtur ceremoni solemne për nder të shënimit të kësaj dite.
Fillimisht janë bërë homazhe pranë lapidarëve të policëve të rënë në krye të detyrës për të vazhduar edhe me një minutë heshtje për nderim të kësaj.
Me këtë rast, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se kjo ditë do festohej ndryshe, por që si pasojë e pandemisë ishin të obliguar që organizimi të jetë simbolik.
Ai ka thënë se mbështetja e tij dhe ministrisë do jetë edhe më e madhe për Policinë e Kosovës.
Më tutje, Sveçla ka bërë me dije se si pasojë e Covid-19, 24 pjesëtarë të policisë kanë vdekur, kurse 7 912 janë vaksinuar edhe 1 268 janë në radhë për t’u vaksinuar.
“Sot është një ditë e shënuar, duke kremtuar kështu 6 shtatorin e vitit 1999-të me pranimin e kadetëve të parë. E sot numërojmë me mbi 9 mijë policë. Në këtë ditë kemi menduar të festojmë ndryshe këtë ditë duke bërë që nga pandemia të festohet me kufizime”.
“Nga 1 vit e gjysmë pandemi policia gjithmonë ka qëndruar ne front vetëm e vetëm që të mbrojnë qytetarët, dhe fatkeqësisht kemi 24 policë te vdekur nga pandemia”, ka thënë Sveçla, duke falënderuar policinë për sigurinë në vend.