24 vjet më parë pati filluar punën spitali ushtarak i UÇK-së, aty ishte operuar Mujë Krasniqi
Më 27 prill të vitit 1998 kishte filluar punën spitali i parë ushtarak i UÇK-së në Zonën Operative të Drenicës.
Ky spital ishte improvizuar në shtëpinë e Beqir Aliut në Likoc të Skenderajt, ku ishte i vendosur edhe shtabi i përgjithshëm i UÇK-së.
Doktori i UÇK-së, Fadil Beka, në vitin 2017 kishte bërë me dije se personi i parë që është operuar në këtë spital ka qenë komandanti Mujë Krasniqi, i cili është dëshmor i kombit.
“Më 27.04.1998 në shtëpi të Beqir Aliut në Likoc të Skenderajt, Zona Operative e Drenicës, pra në këtë shtëpi filloj punën spitali i parë ushtarak në zonat e luftës. Pikërisht më këtë datë në këtë shtëpi kryhet operacioni i parë me anestezion të përgjithshëm dhe pacienti qe është operuar ka qenë Mujë Krasniqi-Kapuçi, një nga themeluesit, komandant dhe figurë emblematike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Më këtë rast, në këtë përvjetor i përshëndes të gjithë pacientet që u mjekuan në këtë spital, po ashtu i përgëzoj të gjithë stafin mjekësor për kontributin e tyre në përkujdesjen e pacientëve civil dhe ushtar. Po ashtu, i përshëndes të gjithë ata qe na furnizuan me barna dhe material mjekësor, si ata vendor dhe ata ndërkombëtarë.
Më këtë rast, po ju ofrojmë disa foto të asaj kohe duke operuar në këtë sallë se bashku me disa kolegë të nderuar, specialistë dhe infermierë”, kishte shkruar Beka në llogarinë e vet në “Facebook” në vitin 2017.