24 vjet nga masakra e Reçakut, homazhe te kompleksi memorial

15 janar 2023 | 08:29

Kosova përkujton sot 24-vjetorin e Masakrës së Reçakut, ku u vranë mbi 45 civilë të pafajshëm shqiptarë. Ish-shefi i misionit vëzhgues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William Walker, e pati cilësuar Masakrën e Reçakut si krim kundër njerëzimit.

Më 15 janar 1999, në fshatin Reçak u vranë e u masakruan barbarisht 45 shqiptarë të paarmatosur.

Në orët e hershme të mëngjesit të 15 janarit Reçaku u zgjua i rrethuar. Sipas dëshmitarëve, aty rreth orës 6:30 forcat serbe me artileri të rëndë kanë filluar të bombardojnë fshatin. Pas ndërprerjes së bombardimeve, forcat serbe janë futur në fshat dhe kanë filluar bastisjet.

Masakra e Reçakut tmerroi botën dhe zgjoi ndërgjegjen e diplomacisë botërore duke u mobilizuar për Kosovën.

Tmerret e shkaktuara në fshatin Reçak sollën në vëmendje të gjithë botën e civilizuar dhe shpalosi të vërtetën rreth planit gjenocidal të ish-kriminelit Sllobodan Millosheviq.

Në përkujtim të Masakrës së Reçakut, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe ambasadori William Walker do të bëjnë homazhe në Kompleksin memorial të Reçakut me fillim në ora 10:00.

Më pas të tre krerët e shtetit dhe diplomati amerikan, ish-kryesues i Misionit Verifikues në Kosovë, do të marrin pjesë në akademinë përkujtimore në 24-vjetorin e Masakrës së Reçakut e cila do të mbahet në Shtëpinë e Kulturës në Shtime.

Homazhe pritet të bëjnë edhe autoritetet lokale si dhe përfaqësues të partive politike si dhe institucioneve të Republikës së Kosovës.

Reçaku atëbotë kishte zënë vend në mediat dhe kancelaritë e shteteve më me ndikim në botë. Ish-sekretarja e Shtetit, Madeleine Albright, e kishte dëgjuar lajmin dhe ishte zgjuar me ankth se ç’do t’i sillnin orët në vijim Kosovës.

Ndërkaq, shefi i misionit të OSBE-së, William Walker kishte shkuar në vendin e krimit shumë shpejt dhe kishte drejtuar gishtin nga lugina e masakrës duke e përcaktuar krimin me tri fjalë: Krim kundër njerëzimit.

Pas Masakrës së Reçakut, rifilluan luftimet 48 orësh mes UÇK-së dhe forcave serbe për marrjen e kufomave. Serbia donte t’i zhdukte gjurmët e krimit, por kjo tentativë e tyre dështoi. Bota e pa krimin.

Për herë të parë nga skenat rrëqethëse dhe masakrat barbare që bënë forcat serbe në popullatën civile shqiptare, kishin tmerruar edhe misionarë dhe diplomatë të botës./kp/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nga: Katy Hessel / The Guardian “Arti do t’i bëjë…