24 vjet nga protesta studentore e 1 tetorit të vitit 1997
Sot (e premte) mbushen 24 vjet nga protesta e Lëvizjes Studentore e vitit 1997. Ishte Lëvizja Studentore e atëhershme që organizoi protestat të cilat u organizuan për ta kundërshtuar pushtimin e Kosovës nga Serbia dhe kthimin e studentëve në objektet universitare, nga të cilat studentët ishin dëbuar nga regjimi i kasapit Slobodan Millosheviqi në fillim të viteve ’90.
Përpos masave të dhunshëm që regjimi kishte vendosur vite më parë në universitet, dëboi studentë dhe profesorë nga universiteti dhe imponoi planprogramin serb për mësim. Kjo protestë konsiderohet si një ndër aktet më të rëndësishme të asaj kohe. Për ta shpërndarë protestën paqësore, policia serbe përdori dhunë ndaj studentëve dhe profesorëve.
Në ballë të kësaj proteste ishin liderët e Lëvizjes Studentore, Muahmet Mavraj, Bujar Dugolli, Driton Lajçi dhe Albin Kurti, së bashku me rektorin e atëhershëm të Universitetit të Prishtinës, Ejup Statovci. Pas tyre, në këtë protestë ishin edhe mijëra studentë.
Lëvizja Studentore e ’97-s është vlerësuar krahu intelektual i lëvizjes çlirimtare të Kosovës nga historianët e njohur të Kosovës.
Në 24-vjetorin e protestës studentore të 1 tetorit të vitit 1997, profesorët universitarë të historisë, Muhamet Mala dhe Ibrahim Gashi, kanë thënë për “Epokën e re” se ndikimet e kësaj ngjarjeje ishin të mëdha në rrjedhat e proceseve të mëvonshme politike.
Ata kanë deklaruar se kjo lëvizje solli një kthesë historike në procesin e lëvizjes për çlirimin e Kosovës.
Profesor Muhamet Mala ka vlerësuar se Lëvizja Studentore e ’97-s ishte krah intelektual i lëvizjes çlirimtare. “Në përvjetorin e 24-t të Lëvizjes Studentore, mendoj se kjo lëvizje ka qenë një krah intelektual i lëvizjes çlirimtare e cila kishte filluar shumë më herët, ka thënë Mala.
Ai ka vlerësuar se kjo lëvizje ishte revolucionare në kuptimin pozitiv të fjalës.
“Kjo lëvizje ishte revolucionare në kuptimin pozitiv të fjalës, mirëpo i mungonte edhe krahu intelektual. E krahu intelektual është pikërisht ajo forca lëvizëse e cila e ka çuar këtë proces përpara”, ka thënë ai.
Sipas historianit Mala, ndikimi i kësaj ngjarje në proceset e mëvonshme ishte i madh. “Mendoj se Lëvizja Studentore i ka dhënë shpirt edhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u ka dhënë shpirt të gjitha proceseve të tjera historike në kuptimin pozitiv të fjalës. Pra, sistemi i funksionimit të lëvizjes çlirimtare në Kosovë ka qenë komplementar dhe plotësues. Në njërën anë, një krah i fortë ushtarak dhe, në krahun tjetër, ai intelektual. Pa bashkimin e këtyre dy elementeve nuk kemi mundur të arrijmë aty ku jemi sot. E pikërisht elementi i Lëvizjes Studentore ka qenë ai që e ka zgjuar dhe i ka dhënë një impuls kësaj lëvizje”, ka deklaruar profesori Mala.
Sipas tij, Lëvizja Studentore e 97-s solli ide dhe ideale të reja në rrugën e çlirimit të Kosovës.
Edhe profesori tjetër universitar i historisë, Ibrahim Gashi, ka folur për Epokën e re për ndikimet e kësaj ngjarjeje.
Ai ka deklaruar se protesta e 1 tetorit e vitit 1997 ka shënuar fundin e lëvizjes paqësore.
“Protesta studentore e vitit 1997 është një ngjarje e shënuar në historinë më të re të Kosovës. Kjo dhe këto protesta kanë lëvizur procesin e lëvizjes për çlirim dhe pavarësi të vendit një hap më tutje. E them kështu sepse këto protesta shumica e autorëve perëndimorë i konsiderojnë si fundin e lëvizjes së rezistencës paqësore”, ka thënë Gashi.
Ai ka deklaruar se pas këtyre protestave fillon të dalë në plan të parë lëvizja aktive, lëvizja e armatosur për çlirimin e Kosovës.
“Në fakt, autori Hovert Clark protestën e 1 tetorit e quan si fundin e veprimit joviolent. Sipas tij, protesta shpërfaq në njëfarë mënyre dështimet e lëvizjes paqësore për ta çuar përpara çështjen e Kosovës. Pra, pas këtyre protestave fillon të dalë në plan të parë lëvizja aktive, pra lëvizja e armatosur për çlirimin e Kosovës”, ka thënë Gashi.
Edhe protagonistët e protestës studentore të 1 tetorit të vitit 1997 e kanë vlerësuar këtë ngjarje shumë të rëndësishme në historinë më të re të Kosovës.
Në përvjetorët e tjerë ata kanë vlerësuar se Lëvizja Studentore ka arritur qëllimin, duke ngritur një popull të tërë të pasivizuar e të pashpresë.