24 vjet nga rënia e Agron Rrahmanit, Konjufca: Heronjtë do të kujtohen dhe nderohen gjithmonë
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka bërë homazhe pranë varrit të heroit Agron Rrahmani, me rastin e 24-vjetorit të rënies së tij.
Me këtë rast, Konjufca ka thënë se Agron Rrahmani është njëra prej figurave më të rëndësishme, i cili ka dhënë kontribut të madh që populli i Kosovës sot të jetojë i lirë.
Konjufca ka thënë se heronjtë Agron Rrahmani, Bahri Fazliu dhe veprimtarë të tjerë, janë inspiruar nga rënia heroike e Afrim Zhitisë dhe Fahri Fazliut, të cilët, më 2 nëntor 1989, kanë rënë heroikisht në një betejë me policinë serbe.
“Ngjarjet e tilla vazhdimisht kanë frymëzuar heronjtë e UÇK-së. Pra, kur filloi lufta jonë, ajo nuk filloi nga asgjëja, por ishte një shtresëzim shumë i gjatë i përpjekjeve të pareshtura e i heroizmave të tillë, prej të cilave ushqeheshin çlirimtarët dhe heronjtë tanë, të cilët do të kujtohen dhe nderohen gjithmonë”, ka thënë Konjufca.