24-vjetori i masakrës së Rezallës, Krasniqi: Ndëshkim për kryesit e këtij krimi çnjerëzor
05 prill 2023
| 14:58
Memli Krasniqi, kryetar i PDK-së, ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial të varrezave në Rezallë, me rastin e 24-vjetorit të masakrës së Rezallës.
Ai ka theksuar se para 24 vjetëve, në Rezallë të Skenderajt, forcat serbe vranë e masakruan 98 civilë shqiptarë, djem e burra të paarmatosur.
“Këtë krim e bën edhe më mizor fakti që gati gjysmën e trupave i morën dhe i zhdukën, të cilët në vitin 2014 u gjetën në Rudnicë të Rashkës, në Serbi. Për familjarët dhe të mbijetuarit e kësaj masakre dhembja vjen e shtohet, e për Kosovën bëhet edhe më e domosdoshme nevoja për të kërkuar drejtësi dhe ndëshkim për kryesit e këtij krimi çnjerëzor”, ka thënë lideri i PDK-së, Memli Krasniqi.