240 nxënës të shkollës fillore “Hasan Prishtina” vizituan fabrikën e ujit në Shkabaj
Rreth 240 nxënës të klasave të pesta të shkollës fillore “Hasan Prishtina” në Prishtinë, të shoqëruar edhe nga mësimdhënëset e tyre, kanë vizituar të enjten fabrikën e trajtimit të ujit në Shkabaj.
Ata u njoftuan nga afër me procesin e trajtimit të ujit të pijshëm, cilësinë e ujit, rëndësinë dhe vlerat e tjera të ujit. “Nxënësit e kësaj shkolle ishin mjaftueshëm të vetëdijësuar për përdorimin e drejtë të ujit të pijshëm, shpenzimin racional dhe kursimin e tij skajshmërisht, gjithnjë duke potencuar rezervat e burimeve ujore që ka Republika e Kosovës”, është thënë në njoftimin e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina” sh.a.
Në kuadër të kësaj vizite është mbajtur edhe një ligjëratë nga stafi i KRU “Prishtina” sh.a. me ç’rast vizituan aeratorin dhe dhomën operuese të procesit të trajtimit. Disa prej nxënësve mbanin në duar punime që i kishin bërë enkas për t’ia dhuruar stafit të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina” sh.a. dedikuar kursimit të ujit të pijshëm.
/Epoka e re/