240 refugjatë janë kapur deri tani në Korçë
Shqipëria që prej 2015, ”pushtoi” vendet e BE-së me kërkesat për azil por nga ana tjetër Shqipëria është bërë rruga e artë për refugjatët që kërkojnë kalimin për vendet e BE-së.
Korriku shënoi rritje të emigrantëve klandestinë të kapur në vendin tonë në tentativë për të kaluar ilegalisht në rrugën drejt vendeve të Bashkimit Europian!
Rreth 240 emigrantë janë ndaluar nga prilli vetëm në qarkun e Korçës, ku 13 u ndaluan këtë të martë. Kufiri i gjelbër me Greqinë në zonën e Devollit mbetet porta kryesore hyrëse e klandestinëve, ku edhe policia kufitare ka forcuar kontrollet.
Muaji korrik ka regjistruar numrin më të lartë të emigrantëve klandestinë të kapur në tentativë për të kaluar ilegalisht nga Shqipëria drejt vendeve të BE. Të dhënat zyrtare mungojnë, por burime pranë Policisë së Kufirit në Korçë thanë se nga prilli në korrik janë ndaluar rreth 240 klandestinë.
Sipas ”Ora News”, numër i referohet vetëm territorit të qarkut të Korçës, pasi gjatë kësaj periudhe emigrantë klandestinë janë kapur edhe në brendësi të territorit në rrugën drejt Malit të Zi e më pas vendeve të BE-së.
Grupi i fundit me 13 klandestinë nga lindja e mesme u kap këtë të martë pranë fshatit Trestenik. Burime policore thanë se 5 klandestinë janë shtetas palestinezë, 4 prej tyre irakianë, 3 sirianë dhe 1 maroken, mes të cilëve dy të mitur.
Gjatë procedurave të intervistimit, klandestinët e kapur i kanë deklaruar specialistëve të policisë së kufirit se kërkojnë strehim politik në Shqipëri. Ata transferohen si të gjithë klandestinët e tjerë të kapur në qendrën e grumbullimit dhe trajtimit në Babrru nga ku një pjesë e tyre rinisin sërish tentativat për të kaluar ilegalisht drejt vendeve të BE.