‘25 për qind e shqiptarëve s’kanë kryer kurrë marrëdhënie seksuale’, reagojnë sociologët
“Nuk mendoj se ne jemi kaq shumë të ftohtë. Ne jemi ballkanas dhe përgjithësisht njerëzit tanë kanë një jetë seksuale të mirë, të shëndetshme”.
Ky është komenti i parë që ka bërë sociologu Gëzim Tushi, pasi është njoftuar me rezultatet e një anketimi të përbashkët të INSTAT-it dhe Institutit të Shëndetit Publik, sipas të cilit, gati 25 për qind e të rriturve shqiptarë nuk kanë kryer kurrë marrëdhënie seksuale.
“Në përgjithësi, sistemi i anketimit në Shqipëri vuan nga disa fenomene, siç janë hipokrizia, mungesa e thënies së të vërtetës, frika nga opinioni, apo se mund të zbulohesh”, ka thënë sociologu Gëzim Tushi.
Sipas sondazhit, numri më i madh i meshkujve pa përvojë seksuale është në Dibër dhe Elbasan, ndërsa gratë në Kukës dhe Shkodër. Përkundër kësaj, sociologu nënvizon se rajoni verior ka një përqindje më të lartë lindshmërie.
“Numri i fëmijëve për grua në rajonet e Dibrës, Kukësit dhe në përgjithësi në zonën e veriut është gati 2.2 fëmijë për grua, që konsiderohet një shifër e lartë në raport me faktin që në nivel kombëtar apo shtetëror, ne e kemi 1.4. Shifrat e INSTAT-it tregojnë që mungon një numër i konsiderueshëm i bebeve nga viti në vit. 22 mijë bebe më pak në 2018-n, në krahasim me 2017-n”, ka thënë Tushi.
Emigracioni, rënia e numrit të martesave, teknologjia dhe marrëdhëniet e rralla seksuale, po e kthejnë vendin në një “bombë demografike me sahat”, ka theksuar sociologu. / Gazetashqip/