25 persona arrestohen në Gjermani, dyshohen për tentim grusht shteti
Pas bastisjes së dhjetëra lokacioneve në 11 shtete federale të Gjermanisë, policia gjermane ka arrestuar 25 persona, të cilët dyshoheshin për komplot për rrëzimin e qeverisë.
Prokurorët federalë kanë thënë se në këtë aksion kanë marrë pjesë rreth 3 mijë policë, të cilët kryen bastisje në 130 lokacione.
Ministri i Drejtësisë, Marco Buschmann, e ka përshkruar aksionin si “operacion anti-terrorizëm”, duke thënë se dyshohet se grupi ka planifikuar një sulm të armatosur ndaj institucioneve të shtetit.
Raportimet në mediet gjermane kanë thënë se grupi i përbërë nga figura të ekstremit të djathtë dhe ish-ushtarakë, planifikoi të sulmonte ndërtesën e parlamentit, Reichstag, dhe të merrte pushtetin.
Sipas autoriteteve gjermane, 22 nga 25 të arrestuarit janë shtetas gjerman, ndërsa tre të tjerë, përfshirë një shtetas rus, dyshohet se mbështesnin grupin.
Në krye të grupit dyshohet se ishte një 71-vjeçar, të cilit i referoheshin si princi Heinrich XIII.
Prokurorët federalë thanë se grupi planifikoi që ta instalonte atë si udhëheqësin e ri të Gjermanisë, dhe për këtë arsye vet 71-vjeçari dyshohet se kishte kontaktuar me zyrtarët rusë me qëllim të negocimit të një rendi të ri në vend, pasi Qeveria gjermane të rrëzohej.
Ai dyshohet se është ndihmuar nga një grua ruse, Vitalia B.
Pjesë e këtij grupi thuhet se janë anëtarë të lëvizjes ekstremiste “Reichsbuerger” apo “Qytetarët e Rajhut”, të cilët janë prej kohësh në vëzhgimin e policisë gjermane për sulme të dhunshme dhe teori konspirative raciste.
Ata gjithashtu refuzojnë të njohin shtetin modern gjerman.
Rreth 50 burra dhe gra dyshohet se kanë qenë pjesë e grupit që thuhet se kanë bërë komplot për të përmbysur Republikën dhe për ta zëvendësuar atë me një shtet të ri të modeluar sipas Gjermanisë së vitit 1871.