25 prilli zhduku kundërshtarët e minishengenit!
Shkruan: Anisa Bahiti
Asnjëherë, që nga përfundimi i Luftes së Dytë Botërore, Beogradi politik nuk kishte shprehur kaq shumë interes të hapur për zgjedhjet në Shqipëri. Saktësia e parashikimeve të Presidentit Aleksander Vuçiç për zgjedhjet në Shqipëri ishte per tu admiruar.
Kjo do të thotë që, jo vetëm këshilltarët hebrenj të Rames dhe Vuçiçit, të cilët janë të njëjtë, e kishin bërë mirë punen e tyre, por që edhe komuniteti i inteligjences serbe në mes të shqiptarëve është shumë i thellë dhe i fokusuar mbi prioritetet e politikës shqiptare.
Por çfare e bën kaq të rëndësishme për Serbinë gjendja politike e Shqiperisë? Marrëdhëniet politike dhe shtetërore janë të shkëlqyera. Kohët e përplasjeve të forta të Milloshevicit janë larg dhe të dy vendet kanë lidhje të forta ekonomike. Të dy vendet nuk janë fqinj dhe nuk paraqesin rreziqe direkte për njeri-tjetrin.
Po çfarë atëherë e bën Presidentin Vuçiç të ishte kaq i interesuar për zgjedhjet në Shqiperi?
Projekti me i madh politik i Vuçiçit dhe protektorëve të tij politik në Ballkan është Mini-Shengeni i cili i hap rrugë një hapësire shtetesh, ku Serbia i dominon të gjithë dhe bën një bashkim të butë me serbët jashtë kufijve të saj, kryesisht Republika Serbsken në Bosnjë dhe serbët e Kosovës. Ndërkohë pjesa tjetër e Kosovës shkon drejt një integrimi me Shqiperinë, duke bërë ndarjen faktike të saj.
2 vjet më parë kundërshtarët më të fortë të këtij projekti ishin ish- Presidentja e Kroacisë nga Kolinda Grabovic, Kryeministri i Kosovës Haradinaj, Presidenti i Shqipërisë Meta, ish- Kryeministri Pandeli Majko dhe ish- Presidenti e Kryeministri i Shqipërisë Berisha. Çuditërisht kjo është një temë për të cilën kryetari i PD-së njëkohësisht ish-minister i Jashtëm dhe njohës shumë i mirë i Kosovës, Lulzim Basha, nuk është shprehur kurrë. Në të njëjtën kohë, ditët e fundit në Slloveni është publikuar hapur një hartë e ndryshimit të kufijve në Ballkan, e cila ka bërë shumë zhurmë nëpër kancelaritë dhe kryeqytetet europiane.
Në këtë pikë, kur zgjedhjet në Kosovë prodhuan pushtet për 2 kundërshtarë të vendosur të këtij projekti, Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin bëhet më e qartë që nëse Rama humbiste në Shqipëri, ky projekt vdiste. Ndaj mesa duket, i gjithë faktori ndërkombëtar në Shqipëri, u investua që sido që të ishte rezultati i zgjedhjeve në Shqipëri, dy çështje nuk duhej të ndryshonin: qëndrimi i Shqiperisë ndaj Mini-Shengenit dhe mos ikja e Ramës nga pushteti. Për këtë duhej një marrëveshje Rama-Basha. Rama e artikuloi disa here gjatë fushatës, faktori ndërkombëtar gjithashtu ,dhe Basha si çdoherë ishte as mish dhe as peshk. Me hapjen e kutive dhe të numërimit të tyre u pa ç’ kishte ndodhur. PD-ja më shumë se PS-ja i ishte sulur votave të LSI-së në të gjithë Shqipërinë dhe i kishte marr ato plot 120 mijë vota. Rezultatet dhe procesi i numërimit në qarqet Tiranë, Durrës, Korçë, Berat dhe Lezhë e bëjnë shumë të qartë këtë koalicion nën tavolinë. Dobësia dhe naiviteti i lidershipit të LSI-së në marrëdhëniet me PD-në dhe në moskuptimin e lojës së madhe nuk fillon tani por kur ata ranë në grackën e Bashës me lënien e mandatëve dhe mospjesëmarrjen në zgjedhjet vendore të 2019. Në të njëjtën kohë, Rama kishte nxjerrë jashtë loje Ditmir Bushatin, një nga ministrat e tij më të mirë por, kundërshtar i fortë i Mini-Shengenit. Ai as nuk u përfshi fare në listat e PS-së.
Një fat aspak të mirë pati edhe Pandeli Majko, një emër shumë i madh politik i PS-së që nga krijimi i saj,edhe ky kundërshtar i hapur i Mini-Shengenit dhe autor i përplasejeve të hapura me Vuçiçin duke e vendosur Ramën në pozita shumë të sikletshme ,më shumë se asnjëherë. Një fat jo më të mirë pret dhe Berishën, edhe ky kundërshtar i këtij projekti. Pavarësisht se ai i ka sulur njerëzit e tij me në krye Bujar Nishanin kundër Bashës , ky i fundit kontrollon grupin e ri parlamentar dhe Berisha nuk ka çfarë t’i bëjë.
Mbetet Meta , komisioni parlamentar do të bëjë një shkarkim formal të tij por ai do të qëndrojë në zyrë deri në korrik të vitit 2022, pasi duhet Gjykata Kushtetuese për shkarkimin e tij.
Sido të përfundojë, 25 prilli nxorri jashtë luftimit të gjithë kundërshtarët e Mini-Shengenit dhe i dha një fitore historike projektit Rama-Vuçiç.
Anisa Bahiti ?
Maj 2021