25 të rinj nga diaspora përforcojnë lidhjet me Kosovën përmes Diplomacisë Qytetare
Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, në mjediset e MPJD-së, ka pritur gjeneratën e dytë të programit për diplomaci qytetare, duke u uruar mirëseardhje në vendin e tyre.
Gjatë bashkëbisedimit me anëtarët e programit për diplomaci qytetare, zv/ministrja Gashi u shpreh se ky program, duke pasur parasysh gjeneratën e parë, ka rezultuar të jetë një mundësi e mirë që të rinjtë tanë në diasporë të rilidhen me vendin, duke sjell përvojën dhe praktikat e tyre.
Prandaj, duke parë rëndësinë e këtij programi, Gashi tha se ndihet mjaft e lumtur që këtë vit numri i anëtarëve të programit është rritur në 25 veta, nga 11 shtete, të cilët do të angazhohen edhe në ministritë e tjera të linjës. Kështu, do të rritet edhe mundësia e krijimit të lidhjeve të reja me shtetet prej nga vijnë këta profesionistë.
Në fund, zv/ministrja Gashi, duke i falënderuar për vullnetin e treguar për angazhim në kuadër të këtij programi, u uroi shumë suksese.
Ajo u shpreh se një program i tillë jo vetëm do t’u mundësojë angazhimin e drejtpërdrejtë në institucionet e Republikës së Kosovës, por edhe do ta forcojë lidhjen e tyre me Kosovën.