25 vjet nga Beteja e Koshares, Haradinaj: Thyerja e kufirit Kosovë – Shqipëri ishte ditë gëzimi për të gjithë shqiptarët
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka marrë pjesë në manifestimin qendror “Beteja e Koshares”.
Ai ka thënë se fitorja në Koshare nuk ishte vetëm fitore morale, ajo i hapi rrugë furnizimit me armatim edhe për zonat e luftës në brendësi të vendit.
“Sot Kosova shënon një ndër ditët më të rëndësishme të shtetësisë së saj, Betejën e Koshares dhe ditën e miratimit të Kushtetutës. Lufta jonë çlirimtare kishte disa momente vendimtare, prej të cilave edhe beteja në Koshare. Thyerja e kufirit Kosovë – Shqipëri, ishte ditë gëzimi për të gjithë shqiptarët, veçanërisht për luftëtarët e UÇK-së në vija të frontit. Fitorja në Koshare nuk ishte vetëm fitore morale, ajo i hapi rrugë furnizimit me armatim dhe mbështetje logjistike për shumë zona lufte në brendësi të vendit”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj ka kujtuar të rënët e kësaj beteje të 25 viteve më parë.
“Në 25-vjetorin e saj, i kujtojmë me respektin më të lartë heronjtë; Agim Ramadani, Sali Çeku, Xhemajl Fetahu dhe të gjithë të rënët, që me guximin dhe gjakun e tyre shënuan njërën prej ngjarjeve më të rëndësishme të luftës sonë për liri”, është shprehur Haradinaj.
Haradinaj ka folur edhe për Kushtetutën e Kosovës e cila sot shënon përvjetorin e saj.
“Në po të njëjtën datë kur nderojmë luftën tonë çlirimtare dhe heronjtë e saj, shënojmë edhe Ditën e Kushtetutës. Republika e Kosovës ka Kushtetutë moderne e të avancuar që është shkruar mbi parimet më të larta të njerëzimit duke lartësuar të drejtat e njeriut, garantimin dhe mbrojtjen e të drejtave të pakicave si dhe është garantuese e parimeve të lirisë, demokracisë dhe drejtësisë – gardiane e fortë ndaj çdokujt që rrezikon sistemin tonë me qasje autoritare”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj ka thënë se në këtë përvjetor të Ditës së Kushtetutës, Kosova ka një qeveri e cila vazhdimisht e ka shkelur atë.
“Sot, në 16-vjetorin e shënimit të Ditës së Kushtetutës kemi një qeveri që vazhdimisht ka shkelur Kushtetutën, qoftë përmes nxjerrjes së vendimeve anti-kushtetuese apo mospërfilljes së saj. Andaj i bëj thirrje qeverisë që të tërhiqet nga sjelljet anti-kushtetuese dhe ta ruajnë sigurinë juridike të shtetit”, ka përfunduar Haradinaj.