25 vjet nga masakra në Poklek dhe Çikatovë të Vjetër, Çitaku: Asnjëherë nuk do t’i harrojmë
Sekretarja e përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka bërë homazhe tek varrezat e të rënëve në masakrën e Poklekut dhe Çikatovës së Vjetër.
Ajo ka thënë se krimet serbe ndaj shqiptarëve nuk do të harrohen asnjëherë. Po ashtu, Çitaku ka thënë se asnjëherë nuk do të lejojnë ripërsëritjen e këtyre krimeve.
“Në sytë me lot dhe dhembjen që u rëndon ende shpirtin familjarëve të martirëve të Kosovës, edhe sot kur kanë kaluar 25 vjet, qëndron e vërteta e luftës tonë për liri. Kjo e vërtetë flet më së miri për viktimat dhe agresorin. Për të pafajshmit dhe ata të tjerët të cilët nuk kursyen as fëmijët, gratë e pleqtë. Në Poklek dhe Çikatovë të Vjetër, ku ishim sot për homazhe me kolegë të Partisë Demokratike të Kosovës, ndjenë gjithçka sikur të kishte ndodhur dje: frikën, lutjet dhe kërsitmat e zeza të armëve – që shuan jetën e dhjetëra civilëve. Asnjëherë nuk do të harrojmë. Asnjëherë nuk do të lejojmë ripërtëritjen e këtyre krimeve. Lavdi të përjetshme martirëve të Poklekut dhe Çikatovës së Vjetër!🌹”, ka shkruar Çitaku në “Facebook”.