25 vjet nga themelimi i Brigadës 137 “Gjakova”, ja kush ishin eprorët e kësaj brigade
Sot mbushen 25 vjet nga themelimi i Brigadës 137 “Gjakova”, i cili përbën një nga kapitujt më të rëndësishëm të luftës në Gjakovë dhe Kosovë.
Themelimi i kësaj brigade ishte bërë me urdhrin e komandantit të Zonës Operative të Dukagjinit, Ramush Haradinaj.
Kjo brigadë u ngrit pas kërkesave të ushtarëve gjakovarë të UÇK-së për ndërhyrje në qytetin e tyre, me qëllim të ndalimit të masakrave dhe krimeve të ushtrisë serbe ndaj civilëve në këtë komunë.
Më 28 mars 1999 nga fshati Dashinoc, Komandant i ZOD-it, Ramush Haradinaj jep urdhëresën me nr. L8/862/99 për krijimin e njësitit në shkallë Brigade, të emërtuar Brigada 137 “Gjakova” e UÇK- së, bashkë me emërtimin e kuadrit komandues.
Një ditë pas themelimit, më 29 mars 1999 kjo brigadë me shumë pjesëtarë të armatosur, u futen në qytetin e Gjakovës.
Brigada ishte e ndarë në 4 grupe, të cilat ishin vendosur në katër pozicione të qytetit, si pikat më të mira strategjike të mundshme për zhvillimin e aktivitetit ushtarak të kësaj brigade.
Tri grupet dhe Shtabi i Brigadës ishin vendosur në lagjet e Çabratit dhe një grupi vendoset në Orize. Në kuadër të detyrave të parashtruara, luftëtarët e kësaj brigade ndërmorën aksione të shumta për mbrojtjen e popullatës civile të Gjakovës.
Veçohet “Epopeja e Çabratit” kur në luftën frontale me armikun, në një distancë të afërt, në datat 7, 8 dhe 9 maj ranë heroikisht 17 dëshmorë të kësaj brigade.
Kjo urdhërese sipas një dokumenti të nënshkruar nga Komandanti i Zonës së Dukagjinit, Ramush Haradinaj i ishte dedikuar Eprorit Metali Perolli.
Në këtë vendim shkruhej:
Pas rrethanave të vështira të krijuara me qëllim të shpëtimit të popullatës dhe situatës luftarake në tërësi në gjendje të jashtëzakonshme lufte lëshoi këtë urdhëresë:
Urdhëroj:
Krijimin e një njësie të re në shkallë Brigade e emëruar 137 “Gjakova” me komandant Brigade, eprorin Agron Kryeziu.
Eprorin Agron Kryeziu e bëjë përgjegjës për kryerjen e detyrave luftarake të marruara nga Komanda e Zonës dhe të daluara nga situatat e krijuara në rajonin operues.
Ndërsa eprorin:
Abdullah Babalia e emëroj Zëvendëskomandant të Brigadës;
Myslim Dobrunën, Ndihmës komandant për Moral,
Afrim Dedën, Ndihmës komandant për Logjistikë,
Metali Perollin, Komandant të batalionit të -I-rë,
Lekë Stubllën, Zëvendëskomandant të Batalionit të -I-rë dhe Komandant të Kompanisë së -I-rë,
Bernard Idrizin, Komandant të togës së -I-rë, të Kompanisë së -I-rë, të Batalionit të -I-rë,
Milot Rokën, Komandant të togës së -II-të, të Kompanisë së -I-rë, të Batalionit të -I-rë,
Hekuran Hodën, Komandant të togës së -III-të, të Kompanisë së -I-rë të batalionit të -I-rë,
Pinçon e emëroj, Komandant të njësisë Komando,
Besim Vokshin, Ndihmës komandant për policinë ushtarake (PU).
Thuhet në fund të urdhëresës së nënshkruar nga komandanti i Zonës së Dukagjinit, Ramush Haradinaj e cila mbanë datën 28 mars 1999, dhe është ë përpiluar nga (E.XH).