25-vjetori i themelimit të PDK-së, Krasniqi pret në takim bashkëshorten e Thaçit e të Veselit
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka pritur në takim bashkëshorten e Hashim Thaçit dhe atë të Kadri Veselit me rastin e 25-vjetorit të themelimit të kësaj partie.
Krasniqi që shoqërohej nga Bedri Hamza, Vlora Çitaku dhe Enver Hoxhaj, ka thënë se çdo herë vërehet mungesa e Thaçit dhe Veselit.
“Në këtë përvjetor jubilar të themelimit të Partisë Demokratike të Kosovës, pata nderin dhe kënaqësinë të pres bashkëshorten e Presidentit Hashim Thaçi, Lumnijen dhe bashkëshorten e Kryetarit Kadri Veseli, Violetën. Urimet që i shkëmbyem për këtë 25 vjetor, fatkeqësisht nuk ishin të plota, sepse sot më tepër se çdoherë ndjehej mungesa e dy liderëve tanë. Më shumë se mall, sot ndjejmë krenari që pjesë të rrugëtimit tonë jetësor i kemi dy burrështetas të guximshëm që ndryshuan fatin e Kosovës, dy udhëheqës vizionarë që e ngritën, zhvilluan dhe transformuan Republikën tonë, dy çlirimtarë që po vazhdojnë misionin e tyre në mbrojtje të së vërtetës së historisë së vendit dhe popullit tonë”, ka shkruar Krasniqi në “Facebook”.