26 bashkatdhetarët e lënduar në aksidentin në Kroaci lirohen nga spitali

26 korrik 2021 | 17:50

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka udhëtuar drejt Kroacisë për t’i vizituar bashkatdhetarët që po qëndrojnë në spital pas lëndimeve që morën në aksidentin tragjik në Sllavonski Brod.

Në një lidhje direkte për emisionin “Frontal” në “T7”, ai ka thënë se sapo janë liruar 26 pacientë, teksa 15 prej tyre pritet të lirohen nesër (e martë).

Latifi ka bërë me dije se dy nga pacientët kanë lëndime më serioze, por spitali ku po qëndrojnë, sipas tij, ka bërë organizim shumë të mirë dhe asnjë nga pacientët nuk ka vdekur në spital.

“26 sapo janë liruar nga spitali. Ka filluar të stabilizohet gjendja dhe ka përmirësime të të lënduarve. 15 janë ende të shtrirë. Shpresojmë që nesër mund të lirohen pjesa më e madhe e tyre. Ndërsa dy pacientë janë me lëndime me serioze, por gjendja e tyre është stabile. Falënderoj drejtorin e spitalit dhe stafin, duke shtuar se është organizim efikas e funksional.  Asnjë pacient s’ka ndërruar jetë kur ka arritur në spital. Të lënduarit janë nga komuna të ndryshme të Kosovës, si nga Malisheva, Peja, Rahoveci, Deçani etj.”, ka thënë Latifi, duke shtuar se 45 bashkatdhetarë janë të lënduar nga aksidenti, i cili ka lënë të vdekur dhjetë të tjerë.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ramo Gashi, njëri nga pasagjerët që ishte në autobusin i…