26 mars ’81: “KOSOVA-REPUBLIKË!”, i çon shqiptarët në këmbë
Lulëzim Etemaj
“Kosova- Republikë!”. Kjo është parulla, njëkohësisht edhe kërkesa kryesore e shqiptarëve të Kosovës në demonstratat e 26 marsit 1981. Ajo e cila i çoi në këmbë me mijëra bijë e bija të saj.
Beogradi zyrtar iu përgjigj me dhunë demonstruesve paqësorë. Dhunën e Beogradit e miratoi edhe klasa politike shqiptare e Kosovës. Dhe e ushtruan, krahas pjesëtarëve të etnitetit serb dhe të etniteteve tjera, edhe shqiptarët e SPB (Sekretariatit të Punëve të Brendshme), UDB-së dhe gjykatave të Kosovës.
26 marsi i vitit 1981 është njëra nga ditët e lavdishme të Pranverës Shqiptare ’81, që i paraprinë shembjes së perandorisë Jugosllavi, të ngritur padrejtësisht, parasëgjithash mbi kurrizin dhe në dëm të shqiptarëve të mbetur padrejtësisht jashtë Shqipërisë.
Tani, 42 vjet më vonë, Kosova është e lirë dhe Republika është bërë realitet.
“Kosova Republikë nuk është kërkesë e atyre që ëndërrojnë pa baza”, shprehet po në vitin ’81 heroi Jusuf Gërvalla.
Pa baza doli të kenë ëndërruar të gjithë ata që Jugosllavinë dhe Vëllazërim- Bashkimin i shihnin të përjetshme dhe përtej tyre nuk shihnin asgjë tjetër.