26 sportistë përfaqësojnë Kosovën në ‘Heraklion 2023’
26 sportistë të pesë sporteve të ndryshme do të përfaqësojnë Kosovën në edicionin e tretë të Lojërave Mesdhetare në Rërë “Heraklion 2023”, të cilat prej 9 deri më 16 qershor mbahen në qytetin Heraklion të Greqisë.
Sportistët vijnë nga sportet e volejbollit në rërë, basketbollit 3×3, hendbollit në rërë, not në ujëra të hapura dhe karate në rërë.
Hendbolli në rërë, basketbolli 3×3 dhe karate në rërë përfaqësojnë për herë të parë Kosovën në një ngjarje të tillë.
Hendbolli merr pjesë me ekipin e meshkujve, ndërsa basketbolli 3×3 dhe volejbolli në rërë në të dyja konkurrencat. Dy notarët do të garojnë në disiplinën 5 km në ujëra të hapura, ndërsa dy karateistët në disiplinën kata individuale.
Krahas sportistëve dhe trajnerëve, volejbolli përfaqësohet edhe me gjyqtarin Valon Mustafa.
Kosova për herë të parë u përfaqësua në LMR “Patras 2019”.