26-vjeçari nga Kosova tregon si u zgjodh në krye të socialdemokratëve në Halmstad të Suedisë
26-vjeçari nga Kosova Arbër Gashi, është zgjedhur kryetar i Partisë Socialdemokrate në qytetin e Halmstadit të Suedisë.
Ai në një intervistë për klankosova.tv ka thënë se për të është një kënaqësi që ka marrë këtë detyrë të re.
“Kur erdhi koha për ta zgjedhur një kryetar të ri filluan anëtarët me nominime për përfaqësues tanë brenda partisë”.
“Unë isha i gatshëm dhe kandidova, pasi mora nominime nga plot anëtarë të partisë. U zgjodha nga Kuvendi i partisë me mandat të plotë, e cila normalisht ishte kënaqësi. Mbas zgjedhjes së kryetarit, u zgjodh edhe kryesia e re”, ka thënë Gashi.
Ai ka deklaruar se si qytetar i Suedisë më prejardhje shqiptare është një obligim shtesë të jesh figurë publike, sepse sipas tij do të jetë edhe ambasador për atë vend dhe atë popull.
“Besoj se është në të mirën jo vetëm për shqiptarët, por edhe për suedezët që qytetarët me prejardhje ndryshme të marrin pjesë në shoqërinë e përbashkët. Suedia, sot ka plotë etni të ndryshme brenda shtetit, dhe besoj se është një vlerë e madhe e saj. Potencialin e arrijmë vetëm kur kemi edhe përfaqësim në vendimmarrje, sepse gjithmonë duhet udhëheqja të reflektojë se si duket shoqëria. Pra, është një nder shumë i madh për mua po edhe një vlerë për shoqërinë suedeze”.
Gashi ka treguar se do të punojë për shqiptarët që janë atje por edhe për suedezët.
“Unë angazhohem për të gjithë qytetarët e Halmstadit, pa marr parasysh se nga janë. Shpresoj së në të ardhmen do të kemi më shumë shqiptarë të përfaqësuar në Halmstad dhe qytetet tjera. Ata të cilët identifikohen me vlerat tona si parti dhe ideologjinë tonë janë gjithmonë të mirëseardhur të anëtarësohen dhe të zhvillojnë vendin së bashku me mua”.
Ai ka theksuar se angazhimin e tij në këtë subjekt e ka pas qysh nga mosha 14-vjeçare.