26 vjet nga sulmi i familjes Jashari, Nura me bashkëpunëtorë nderojnë të rënët në Prekaz
Me homazhe në kompleksin përkujtimor “Adem Jashari” në Prekaz është kujtuar sulmi i dytë mbi familjen Jashari, në 26-vjetorin e këtij akti të forcave policore e ushtarake serbe mbi familjen e komandantit legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Adem Jashari.
Me këtë rast, kryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura, drejtorët komunalë dhe përfaqësuesit e shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së degët në Skenderaj, kanë nderuar dëshmorët e kombit me një minutë heshtje si dhe kanë vendos buqeta me lule të freskëta mbi varret e heronjve. “Lavdi e përjetshme sakrificës dhe heroizmit të familjes Jashari!”, ka njoftuar Komuna e Skenderajt.
Më 22 janar 1998, në orët e hershme të mëngjesit, nga Fabrika e Municionit të Gjuetisë, rreth 500 metra larg shtëpive të lagjes Jashari, kishin lëvizur forca të policisë serbe, të cilat ishin drejtuar drejt Kullës së Jasharëve, për ta sulmuar atë me armë të llojeve të ndryshme.
Meqë atë natë Adem Jashari nuk ndodhej në shtëpi, rezistencë sulmit të policisë serbe i kishin bërë Shabani e Hamza, me nipa e mbesa.
Sulmi i tretë i Serbisë në familjen Jashari kishte ndodhur më 5 mars 1998. Pas një lufte që kishte zgjatur tri ditë, kishin rënë heroikisht 59 anëtarë të familjes Jashari, përfshirë edhe komandantin legjendar të UÇK, Adem Jasharin.